Drejtori i varrezave të Tufinës, Eliodor Ndini ka rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pas operacionit të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe seksioni i Krimit Ekonomik.
Po ashtu në pranga kanë rënë edhe 7 të tjerë, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. N., 44 vjeçe dhe J. Ç., 31 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit Sh. N. dhe F. Gj.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë të rinj, duke shpërdoruar detyrën, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.
Gjithashtu, nga këqyrja e aparateve celulare të këtyre shtetasve dyshohet se nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të sektorëve të tjerë, mundësonin nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit, nga institucionet përgjegjëse, për banesat e dëmtuara nga tërmeti, kundrejt pagesës 200.000 lekë të rinj; nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së; përfitimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, kundrejt pagesës 30.000 lekë të rinj, si dhe përfitimin e kredisë të butë pranë bashkisë Tiranë.
Të arrestuarit:
– Eliodor Ndini, 32 vjeç, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
– Xhemal Mena, 61 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– Latif Shehu, 63 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– Gazment Daja, 49 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– Bujar Lica, 66 vjeç, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
– Alban Ajazi, 28 vjeç, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”;
– Endrin Milla, 37 vjeç, për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”;
– Fatjon Gjonaj, 24 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit Roza Ndoj, 44 vjeçe dhe Julian Çuka, 31 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit Shaqir Nika dhe Fabjon Gjonaj./m.j