Konsensusi politik në Shqipëri është arritje e vështirë, por PS-ja dhe PD-ja gjetën gjuhën e përbashkët për të kritikuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për çështjet ligjore, deputetët shqyrtuan projektrezolutën për veprimtarinë vjetore të KLP-së, institucion i cili sipas tyre nuk kishte zbatuar detyrat e lëna nga Kuvendi.
“Për hir të së vërtetës, të gjithë e dëgjuam dhe e pranuam ku 7 nga 11 rekomandimet mbetën të papërmbushura për vitin 2021”, tha deputeti i PD, Dashnor Sula.
Në qasjen e tyre socialistët shkuan më tej se sa demokratët. “Mendoj zonja kryetare se këtë ju duhet ta konsultoni me kryetaren e Kuvendit pasi është një rast vërteti rrallë që një institucion nuk ka zbatuar kaq gjerësisht rekomandimet e dhëna”, tha Pandeli Majko.
Dakordësia zgjati vetëm për të kritikuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe ndasia u rikthye për hartën e re gjyqësore, që sipas demokratëve, rrezikon të nxjerrë “gjahun” e prokurorëve nga kafazi i paraburgimit.
“Mund të ndodhë që të pandehurit të dalin nga burgu për këtë shkak. Unë besoj se duhet të jetë një alarm i madh mbi të gjitha për KLP. Mund të shpërthejë një situatë e pakëndshme për askënd dhe kjo është t’i japësh një derë të madhe potencialit kriminal që të dalë nga burgjet”, tha Enkelejd Alibeaj.
“Asnjë nga ne kur kemi qenë avokat, bojkotet e seancave me detyrim nuk i kemi zbatuar se bien ndesh me ligjin dhe kjo është një çështje që i takon atyre, përgjegjësi le të mbajnë ata për klientët e vet”, tha Klotilda Bushkaj.
/a.r