Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka kaluar për gjykim dosjen e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Apelit, Ardian Hajdari. Ai do të gjykohet për fshehje dhe mosdeklarim të ardhurash kurse, akuza për falsifikim dokumentesh është pushuar.
Kujtojmë se prej 7 shkurtit 2022, Hajdari është pezulluar nga detyra në KPA, pasi u mor i pandehur nga SPAK.
Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që procedohet penalisht pas Luan Dacit, tashmë i shkarkuar. Daci u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikimin e formularit të aplikimit që e zgjodhi atë anëtar të Kolegjit.
Më 24 qershor 2020, Hajdari u kallëzua penalisht në SPAK me pretendimin se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi i referohej deklarimit të tij se punonte prej 17 vitesh si avokat.
g.kosovari