Bashkimi Evropian u vlerësua për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë në samitin e tij të fundit. Por ekspertë dhe analistë të njohur, thonë duke i mbajtur në “dhomën e pritjes” vendet e Ballkanit Perëndimor, unioni po i thellon zhgënjimet ndaj Brukselit të qytetarëve dhe udhëheqjes politike ballkanike.
Dimitar Bechev, studiues në think-tankun “Carnegie Europe”:
Premtimi i BE-së në lidhje me zgjerimin, nuk është aspak i besueshëm. Hera e fundit që unioni u zgjerua me një anëtar të ri ishte gati një dekadë më parë, në vitin 2013 me Kroacinë. Sa i përket pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, vendet anëtare kryesore të BE-së, sidomos Franca, por jo vetëm, janë skeptike në lidhje me këtë proces.
Edhe sa”Hungari” apo “Poloni’ të tjera mund të përballojë BE-ja, pyesin skeptikët? Mbajtja peng e politikës së zgjerimit nga ana e Bullgarisë, për shkak të mosmarrëveshjes së gjatë me Maqedoninë e Veriut, nuk parashikon asgjë të mirë as për të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërhyrjen e Kroacisë në politikën e brendshme të Bosnjës.
Në këtë rajon, në krye janë një brez udhëheqësish që në dallim nga ata të viteve 1990, dinë sesi të flasin në bisedimet për BE-në, por nuk i respektojnë vërtet kushtet e Brukselit për ta bërë qeverinë transparente dhe pa korrupsion. Pastaj është çështja e Kosovës, e cila përjashton anëtarësimin e Serbisë, nëse presidenti serb Aleksandar Vucic nuk vendos ta njohë sovranitetin e këtij shteti, raporton abcnews.al,
Por ai nuk ka asnjë nxitje për ta bërë këtë, pasi portat e BE-së janë në rastin më të mirë gjysmë të hapura, dhe në rastin më të keq të mbyllura fort. Në këtë fazë, Mali i Zi është i vetmi që mund të anëtarësohet në një të ardhme të parashikueshme, por ndoshta jo përpara fundit të kësaj dekade.
Dhe kjo tregon se sa i kufizuar është “oreksi” i unionit për zgjerim. Por kjo gjë nuk duhet ta dekurajojë Ukrainën dhe Moldavinë, të cilëve sapo u është dhënë statusi i kandidatit . Të qenit fqinj i Rusisë dhe të zhvillosh një luftë për mbijetesë kombëtare, përbën një diferencë të madhe. Zgjerimi mund të jetë shndërruar në një shaka për ballkanasit, por nëse je ukrainas, ke shumë arsye për ta luajtur lojën.
Denis Macshane, ish-Ministër për Evropën në Britaninë e Madhe:
Bisedimet e anëtarësimit të Ukrainës në BE, kërkojnë ndërmarrjen e disa reformave, që nuk i janë kërkuar deri më sot asnjë shteti tjetër anëtar të BE-së. Vetëm dy vende janë më të varfra në Evropë:Moldavia dhe Kosova. Ukraina dhe Moldavia – po ashtu kandidat – janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia.
Edhe kur të përfundojë lufta, ka të ngjarë që Ukraina të jetë një shtet i copëtuar, dhe trupat ruse të kontrollojnë një pjesë të mirë të territorit të saj sovran. BE pranoi në gjirin e saj shtetin e ndarë të Qipros, dhe kjo nën kërcënimin e vetos greke ndaj gjithë procesit të zgjerimit në vitin 2004.
Në atë kohë, udhëheqësit e BE-së nuk thanë se nuk do të pranonin më kurrë një shtet anëtar të pushtuar nga një fuqi e huaj. A do të hiqet dorë nga ky parim për Ukrainën? Klasa e oligarkëve e Ukrainës, korrupsioni i përhapur, dhe sistemi gjyqësori i kapur, kanë pak dallim nga ato në Rusi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky synonte të miratonte një ligj kundër oligarkëve, por u akuzua për emërimin e miqve në postet kryesore të qeverisë. Transfertat financiare në Ukrainë do të jenë të mëdha. Me përjashtim të Rusinë, Ukraina është vendi më i madh i Evropës në aspektin gjeografik, dhe me popullsinë e gjashtë më të madhe në kontinent. Vendimi për t’i ofruar Ukrainës anëtarësimin ishte i pashmangshëm, duke pasur parasysh dështimin e NATO-s dhe BE-së për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën.
Çdo shtet i vogël mund të vërë veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës, ndaj ideja e presidentit Emmanuel Macron për një BE me kategori të ndryshme anëtarësimi, mund të rezultojë të jetë ende tërheqëse. Madje edhe kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, deklaroi gjatë samitit të G7-ës se ai ishte ende “i interesuar” për këtë projekt, raporton abcnews.al.
Daniel Smilov, drejtor i Qendrës për Strategjitë Liberale, Sofje, Bullgari:
Problemi i BE-së nuk janë dhe aq përçarjet dhe dallimet mes shteteve anëtare. Unioni ka qenë gjithmonë një strukturë komplekse mbi-kombëtare, në të cilën shtetet sovrane luajnë një rol të rëndësishëm. Problemi tani është se ka përçarje të forta brenda shteteve anëtare në lidhje me çështjet kyçe.
Këtë e dëshmon saga e Maqedonisë së Veriut. Në Bullgari, kryeministri Kiril Petkov zhvilloi një betejë shumë të fortë kundër presidentit Rumen Radev, dhe disa prej partnerëve të tij të koalicionit. Pjesërisht si rezultat i saj, qeveria e Petkov u rrëzua, dhe me shumë gjasa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Në rast se do të ketë një marrëveshje mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, kjo do të jetë një nga arritjet e fundit të qeverisë jetëshkurtër të Petkov. Ndërkohë propozimi francez po e përçan dhe polarizon edhe Shkupin, dhe mbetet e paqartë nëse qeveria aktuale do ta miratojë apo jo atë.
Në çdo rast, kjo do të shkaktojë edhe atje një krizë politike serioze. Ndarje të tilla të brendshme – qofshin ato për agresionin rus në Ukrainë, energjinë, apo për zgjerimin – janë shkaqet kryesore të mungesës së parashikueshmërisë në BE. Dhe këtu fajtore nuk është vetëm Bullgaria, por edhe Franca, Italia, deri diku edhe Gjermania.
Ndarje të tilla të forta, nuk prekin vetëm institucionet mbi-kombëtare si BE-ja. Shembulli i SHBA-së tregon sesi një politikë e jashtme e qëndrueshme dhe e parashikueshme, mund të vështirësohet shumë nëse dallimet e brendshme janë aq të mëdha, sa ato midis presidentit aktual Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i Këshillit të Politikave Demokratizuese:
Jo. Në momentin historik të mbrojtjes së Evropës demokratike kundër një Rusie autokratike, imperialiste, BE-ja tregoi në të njëjtën kohë pjekuri – duke i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë – dhe shënoi një pikë të re të ulët në politikën e saj të zgjerimit.
Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë iu refuzua sërish hapja e bisedimeve të pranimit, pavarësisht se i kanë përmbushur kriteret prej 5 vitesh. Kosovës nuk iu dha sërish liberalizimi i vizave. Ndërsa parlamentin bullgar votoi pro një nisme të presidentit Emmanuel Macron, presidenca franceze e BE-së mund të jetë në gjendje ta shpallë si sukses zhbllokimin e procesit për Maqedonisë së Veriut, dhe njëkohësisht ta “vrasë” përfundimisht procesin e zgjerimin.
“Kompromisi” legjitimon keqpërdorimin nga Sofja të vetos, dhe imponimin e konceptit të identitetit kombëtar të vendit ndaj vendin fqinj kandidat, ashtu siç po përpiqet të bëjë Putin në Ukrainë. Në dukje, problemi i besueshmërisë së BE-së është ai i përçarjes, i një presidenti francez që është në fakt kundër zgjerimit, dhe i dështimit për të përdorur strategjikisht instrumentet e forta të unionit për promovimin e demokracisë në periferi të tij.
Nën sipërfaqe, kemi një union që e ka harruar prej kohësh arsyetimin politik pas procesit të zgjerimit, dhe lidhjen e tij me integrimin e brendshëm, me “bashkimin politik”, si dhe me dhënien përgjigje ndaj pyetjes “Ku përfundon Evropa?”./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al