Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i tij janë nisur sot në Shqipëri pas vizitës në Madrid ku morën pjesë në samitin e NATO-s. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë thotë se vjen në atdhe me dy lajme të mira: atë të kontributit shqiptar në aleancën e NATO-s dhe zgjidhjen e ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE.
“Për në atdhe pas një samiti veçanërisht të ngarkuar të NATO-s, ku morëm sidoqoftë kënaqësinë e dyfishtë të një pune të mbarë, qoftë në aspektin e kontributit të Shqipërisë për Aleancën, qoftë në drejtim të zgjidhjes së ngërçit për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.
Kjo vjen disa orë pasi kreu i grupit parlamentar Taulant Balla foli në parlament për një dakordësi mes 27 vendeve anëtare të BE-së për të mbajtur javën e ardhshme konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kujtojmë se një ditë më parë, Rama tha se, dëgjoi edhe nga presidenti Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO.
“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkroi Rama në Twitter një ditë më parë.
/a.r