Nga Eduard Zaloshnja
Qarku i Elbasanit ka spikatur në media këto ditë për dy raste të dyshuara shitblerje votash në zgjedhjet parlamentare të vjetshme. Në një rast, dyshohet se militantët e PD-së po blinin vota para 25 prillit të vjetshëm dhe në rastin tjetër dyshohet se 8 komisionerë i kanë shtuar vota PD-së gjatë numërimit (pas 25 prillit), përkundrejt ndonjë shpërblimi.
Duke presupozuar se shitblerja e votave ka ndodhur realisht në qarkun e Elbasanit (gjykatat ende s’kanë folur përfundimisht), vlen të analizohet se çfarë efekti konkret mund të ketë patur ajo në mandatet për deputetë.
Pas numërimit të të gjitha votave, PS-ja ishte fare pranë marrjes (për një grusht votash) të mandatit të 9-të (objektivin e shpallur) në qarkun e Elbasanit (ka 14 mandate gjithësej). Pra, i gjithë mobilizimi (apo edhe blerja e votave në atë qark) nuk prodhoi dot një mandat më tepër për PS-në.
Në qarqe të tjera, spikasin ngjashëm Dibra dhe Tirana.
Qarku Dibër (ka 5 mandate gjithësej), është përfolur zakonisht për shitblerje votash, por vjet më 25 prill, sado shitblerje mund të ketë patur, PS-ja nuk arriti ta marrë dot madatin e 3-të (objektivin e shpallur) vetëm për një grusht votash.
Në qarkun Tiranë (ka 36 mandate gjithësej), u përfol për suksesin e papritur të ndonjë kandidati të panjohur socialist, që mori rekord votash personale në kryeqytet. Por sidoqoftë, PS-ja nuk arriti ta marrë për pak mandatin e 19-të (objektivin i shpallur)…
Ndryshe shkuan punët në Durrës, Berat e Gjirokastër.
Në qarkun Durrës (ka 14 mandate gjithësej), PS-ja e siguroi për një grusht votash mandatin e 8-të (objektivin i shpallur). Në qoftë se atje ka patur shitblerje votash, ajo duket se ka rezultuar efektive…
Ngashëm në qarkun Berat (ka 7 mandate gjithësej), PS-ja e siguroi për një grusht votash mandatin e 5-të (objektivin i shpallur). Në qoftë se atje ka patur shitblerje votash, ajo duket se ka rezultuar efektive…
Ndërsa në qarkun Gjirokastër (5 mandate gjithësej), faktori kryesor për marrjen e mandatit të 4-të nga PS-ja ka qenë mbyllja e kufirit me fqinjët, për shkak të pandemisë. Vangjel Tavo i LSI-së ka sjellë tradicionalisht përkrahës të tij me autobuzë nga Greqia. Në qoftë se nuk do të ishte mbyllur kufiri prej pandemisë, Tavo mund ta kishte siguruar përsëri mandatin e tij të përjetshëm, duke ia hequr mandatin e 4-të PS-së…