Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim këtë të martë me aktivistë të shoqërisë civile disa ditë përpara zhvillimit të protestës së thirrur më 7 korrik.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek rritja e çmimeve për të cilën tha se ajo ka sjellë një inflacion rreth 29%.
Berisha thotë se Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët, teksa paralajmëron se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin këtij regjimi.
“Shqipëria ka problem qeverinë e saj. Një njeri që mburret se nuk ka master dhe doktoratë, nuk kupton se çfarë flet në shumicën e rasteve kur bëhet fjalë për qeverisjen. Një njeri që do të shfrytëzojë çdo fatkeqësi të qytetarëve, por për të fituar kapital politik ose kapital tjetër. Çmimet rriten si në asnjë vend tjetër. Nuk ka asnjë vend në rajon ku çmimet të kenë kapur mbi 107% të çmimeve se produktet në BE. Të marrim rritjen e çmimeve. Është faktikisht, e çon inflacionin në 29% dhe jo ai që thotë ai. Sa janë rritur rrogat? Asgjë nuk ka ndodhur. Në këtë kontekst, përgjigja jonë është jetike. Në këtë kontekst, reagimi i fuqishëm i shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm në betejën e PD-së dhe forcave të tjera politike.
Është i domosdoshëm, është i një rëndësie të madhe, mbështetja e diasporës dhe emigracionit. Kjo lëvizje ka synim të rivendos të drejtat e mohuara për diasporën dhe emigracionit. Të gjithë këta që janë në emigracion në diasporë, me ndihma të përmuajshme që i dërgojnë njerëzve të tyre. Në një rrafsh, këta nuk quhen reaksionarë. Por perdja e hekurt për ta, funksionon dhe sot. Këta nuk integrohen, nuk votojnë. Ne do bëjmë gjithçka për avokatinë e të drejtave të tyre në Shqipëri. Ata do përcjellin mesazhin e qartë tek familjarët e tyre, të bashkohen në këtë lëvizje. Është e rëndësishme një front kombëtar, që të përballet me një regjim. Një autokraci elektorale që vjedh zgjedhje.
Edi Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët. E kam vëlla Vuçiçin por duhet të kem dhe Albinin. Kjo është rreshtimi në anë të kundërt i asaj që duhet të rreshtohet Shqipëria. Vendi ynë nuk plotëson kriteret, ne nuk kemi drejtim tjetër përveç drejtimit europian. Ju ftoj që këto ditë të bëjmë gjithçka për suksesin e protestës më datë 7. Nuk do ndalet deri në shpëtimin e Shqipërisë. Nga një regjim që po shkreton vendin” – tha Berisha.
/e.d