Të paktën 46 persona u gjetën të vdekur në një kamion të braktisur në periferi të San Antonios në Teksas. Një zjarrfikës tha se 16 persona të tjerë, duke përfshirë 4 fëmijë, janë dërguar në spital. Të mbijetuarit ishin shumë “të nxehtë për t’u prekur” dhe ishin të lodhur për shkak të vapës.
San Antonio ndodhet 250 kilometra larg nga kufiri SHBA-Meksikë, por është një rrugë kryesore për trafikun e njerëzve. Shpesh trafikantët përdorin kamionë për të transportuar emigrantë të paligjshëm dhe i çojnë në zona ku mund të lëvizin në Shtetet e Bashkuara.
“Ata (viktimat) kishin familje dhe po përpiqeshin për një jetë më të mirë. Është një tragjedi e tmerrshme njerëzore”, tha kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg.
Ngjarja u zbulua rreth orës 18:00 me orën lokale, pas raportimeve për një trup të pajetë. Por kur shefi i zjarrfikëses shkoi në San Antonio pa atë që nuk e kishte imagjinuar kurrë. Charles Hood i tha mediave se shoferi i kamionit e kishte braktisur kamionin. Aty nuk kishte as ajër të kondicionuar dhe as ujë të pijshëm.
Gjatë verës San Antonio përfshihet nga i nxehti dhe temperaturat janë shumë të larta. Vetëm të hënën, kur ndodhi ngjarja, temperaturat shkuan 39.4 gradë Celsius.
Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se dy të plagosur nga Guatemala ishin në mesin e atyre që u dërguan në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk është e qartë ende.
Tre persona po mbahen në paraburgim dhe hetimi i është dorëzuar agjentëve federalë.
Konsulli i Përgjithshëm meksikan, Rubén Minutti, është dërguar në vendngjarje, ndërsa konsullata në San Antonio tha se do të ofronte “të gjithë mbështetjen” nëse në mesin e të vdekurve ka qytetarët meksikanë.
/a.r