Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar në lidhje me mos pranimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Josep Borell mendon se mënyra sesi po merren vendimet duhet të ndryshohet.
Është e një rëndësie kyçe gjeopolitike, u shpreh ai, që BE-ja të zgjerohet dhe thellohet. Sipas kryediplomatit europian, zgjerimi i BE-së është sërish në krye të agjendës. Këshilli Europian vendosi javën e kaluar, që e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë qëndron në BE dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë në atë rrugë.
“BE e ka përsëritur angazhimin e saj ndaj tyre. Në të njëjtën kohë që rivitalizojmë zgjerimin, ne duhet të bëjmë një përpjekje të ngjashme për të reformuar Bashkimin Europian dhe vendimmarrjen tonë, sepse BE-ja e zgjeruar gjithashtu duhet të jetë në gjendje të veprojë. Kjo do të thotë gjithashtu, reduktim të rregullave të unanimitetit në politikën e jashtme edhe në fusha të tjera në mënyrë që më shumë vendime të merren me shumicë të cilësuar.”– tha Borrell.
Borell kujtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar me shumë të drejtë, që procesi i tyre i anëtarësimit të gjykohet në bazë të meritave të tyre.
“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet që kur BE-ja shpalli në Selanik se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së. Zgjerimi i BE-së në ato vende, që janë të gatshëm dhe të afta për të përmbushur kushtet, nuk është një “shërbim” apo një lëshim, është në interesin tonë strategjik.”– tha Borrell
Ai shtoi se një politikë e besueshme zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë Europën.
/e.d