Në Petrelë, ku u ndal në turin e riorganizimit të Partisë Socialiste në çdo njësi, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj tha se të rinjtë, sidomos ata që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2023, duhet t’i dinë bëmat famëkeqe që i shpalluri non-grata, Sali Berisha, i ka bërë Shqipërisë.
Në takimin ku veç socialistëve të Petrelës, morën pjesë edhe ata të Baldushkut dhe Farkës, Veliaj theksoi se ashtu siç Saliu po mban peng partinë e tij, ashtu kërkon të marrë peng edhe një herë Shqipërinë.
“Thotë jam shpresë për Shqipërinë. Për Shqipërinë? Seriozisht? E mbani mend ’96? Po ’97 me piramidat? Po ’98, me tanket nëpër Tiranë? Po Gërdecin dhe 21 Janarin? Seriozisht është ky shpresa për Shqipërinë? Një plak 80 vjeç që refuzon të ikë dhe mban peng partinë, për të justifikuar shpalljen non-grata. Shpresë për çfarë? E kemi provuar një herë, dy herë, tre herë. Shokë, ka vetëm një shpresë për Shqipërinë: Partia Socialiste e Shqipërisë! Ajo është familja jonë, që punon për të mirën e të gjithëve”, tha Veliaj.
Ai theksoi se platformat për kryetarë dhe bashkëkryetarë në Farkë, Petrelë, Baldushk dhe të në gjitha njësitë e Qarkut të Tiranës, duhet t’i përgjigjen edhe pyetjes: si duhet t’i flasim gjeneratës së të rinjve. “Në vitin 2023 do të votojnë për herë të parë çuna dhe goca që kanë lindur në 2005. Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë marrë rrugën e tyre. Ndaj, të rinjtë duhet patjetër ta mësojnë nga familja dhe nga historia ’96-ën, ’97-ën, ’98-ën, 21 Janarin dhe Gërdecin. Ne duhet t’u flasim me gjuhën e 2023,” nënvizoi më tej ai.
Veliaj shtoi se kur e pyesin se kë mund të këtë përballë në zgjedhjet e ardhshme vendore, ka vetëm një përgjigje: “Ka shumë njerëz që më pyesin a do kandidojë Presidenti në ikje apo Saliu? Po kjo nuk ka fare rëndësi! Ne i kemi mundur ata edhe tek e tek, edhe të gjithë bashkë, me kuç e me maç. Nuk ka rëndësi fare kombinimi i tyre. Kur llogaria e shtëpisë tënde të del në rregull, nuk ka rëndësi fare çfarë ka shtëpia tjetër. Ne bëjmë llogaritë e shtëpisë tonë dhe për sa kohë Partia Socialiste është shtëpia më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar, ne jemi fitimtarë”, tha ai.
Mandej, kryebashkiaku theksoi se në Tiranë do të ketë edhe një treg ushqimor publik, për të thyer monopolin e privatit. “Bashkë me Ministrinë e Bujqësisë po ngrejmë më në fund një treg shumice, ku secili të shesë sa të dojë, sa të prodhojë, sa të mundet, pa barriera financiare, për t’u siguruar që fitojnë jo vetëm ata, por edhe çdo familje e Tiranës, që do të gjejë në tavolinë një produkt që vjen vetëm nga një kilometër larg”, tha Veliaj.
me shume nongrata ka partia juaj o hajdut,ndytsire i neveritshem,ti dhe partia juaj,qe nuke late gje pa vjedhur e plackite,ja kaluat monstres se vicidolit me qindra here.