“Pritje jo më shumë se 10 minuta”. Ky është kriteri që është vendosur në aeroportin e Rinasit ku ka fluks pasagjerësh për shkak të sezonit veror, por edhe prej heqjes së kufizimeve prej pandemisë së Covid-19. Ministrja e Instrastrukturës, Belinda Balluku shtoi se jemi në moment piku dhe inspektoi punimet e terminalit të ri. Ajo shtoi se ka nisur puna vetëm me ashensorët, ndërsa po presin shkallët lëvizëse që janë vonuar për shkak të pandemisë.
Qëllimi i terminalit të ri është që të përballohet i gjithë fluksi i pasagjerëve dhe të shmanget trafiku apo radhët e gjata deri në 2-3 orë. Ndër të tjera, Balluku tha se kanë dëgjuar nga investitori që terminali mund të përfundojë brenda muajit korrik, që e cilëson deklaratë shumë ambicioze.
Ne po mundohemi të marrim të gjithë masat për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e pasagjerëve por edhe për të qenë konform me të gjithë kërkesat dhe rregulloret e BE sa i përket kohës së përpunimit. Ne të gjithë na duhet të udhëtojmë këto kohë, qoftë prej detyrës dhe e shohim se si është situata në botë me trafik të shtuar dhe radhë të gjata deri 2-3 orë.
Sot teksa diskutoja me drejtorin e aeroportit, po flisnim se sipas një të dhëne që ka pasur në takimin e fundit të bërë në Romë për aeroportin, disa më të mëdha se i Amsterdamit kanë qenë të detyruar të ulin numrin e pasagjerëve dhe fluturimeve sepse nuk po e përballojnë dot prej mungesës së punonjësve.
Viti 2022 është vit që padyshim ka pasur sfida sa i përket aviacionit dhe jemi munduar që t’i zgjidhim ato. Të gjithë pasagjerët kalojnë në pikat e reja të kontrollit të kufirit dhe nga ç’kam të dhënat, kemi arritur që të mbajmë kohët e duhura. Sot, synimi është të përpunohen 1246 pasagjerë për orë, secili të marrë kohë 7 minuta përpunimi dhe koha e pritjes të çdo pasagjeri të mos jetë më e gjatë se 10 minuta. Këto kritere i kemi arritur”, tha Balluku.
Nuk është vetëm terminali i ri që po ndërtohet, por edhe 4 vendparkime të reja. Ndër të tjera, aeroporti i Rinasit po zhvillohet në 4 faza, e para me përfitim në pjesën e poshtme, faza e dytë konsiston në rritjen e pjesës së bagazheve, në fazën e tretë do kemi zgjerim të check init dhe në fazën e katërt, i gjithë aeroporti të funksionojë për kategorinë 4E, pra për fluturimet ndëroqeanike.
/e.d