Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median franceze “France 24”, ku ka folur për Samitin e Brukselit të dy ditëve më parë, pritshmëritë e Shqipërisë, veton bullgare dhe rrugën e vendit tonë drejt BE.
“Është e vërtetë, isha i zemëruar, por isha i zemëruar me Bullgarinë. Po, jam i trishtuar, por në këtë rast jam i trishtuar për Bashkimin Evropian jo për Shqipërinë. Është njëlloj fuqie që të frikëson. Për më tepër, atë që po bën Bullgaria është diçka e vështirë ta përcaktosh me fjalë…”, ka thënë Rama ndër të tjera.
Gazetarja e ka pyetur dhe për Reformën në Drejtësi, mbi 700 milionë eurot që Bashkimi Europian ka investuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për ta reformuar atë. Sipas kryeministrit shqiptar, Shqipëria është model me reformën që ka bërë.
“Shqipëria është në pararojë të vendeve të rajonit. Ne vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi, që është konsideruar nga të gjithë si një model. Po ju jap një shembull: nëse ju do të pyesnit këdo në Shqiperi para 3 apo 4 vitesh, nëse ky apo ai mund të imagjinonte një ditë gjatë jetës së tij një person me pushtet politik para një gjykatësi, para drejtësisë apo në burg (siç është rasti i ish-kryeministrit) ju do ta kuptonit. Sot nuk ka vetëm një rast, por disa raste”, vijoi ai.
Intervista e kryeministrit Edi Rama në France 24
Gazetarja- Ju u zgjodhët kryeministër në vitin 2013, pra ishit ju në pushtet në momentin e kësaj date historike, por që atëherë asgjë nuk lëviz.
Njëzet e shatë vendet e BE-së u hapin dyert e Unionit Ukrainës dhe Moldavisë duke ju dhënë statusin e vendit kandidat vetëm disa muaj pas paraqitjes së kërkesës zyrtare, një fitore politike për këto dy vende.
Çfarë mendoni ju për këtë procedurë të veçantë?
KM- Jam tërësisht dakord. Kam bërë edhe një udhëtim në Kiev me kryeministrin e Malit të Zi, kryeministri i Maqedonisë se Veriut ishte gjithashtu në lidhje online. Si tri vende të Ballkanit Perëndimor, anëtare të NATO-s, e kemi mbështetur këtë.
E dimë gjithashtu që statusi i vendit kandidat në BE ndihmon për optimizmin B, por nuk ndihmon vërtet për më shumë gjëra, se duhet bërë një rrugë mjaft e gjatë. Maqedonia e Veriut është kandidate që prej 17 vitesh, Shqipëria që prej 8 vitesh. Shpresoj që procesi për Ukrainën të jetë më pak i gjatë, por nuk e besoj.
Gazetarja – Atëherë çfarë shpresoni për vendin tuaj e vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor? Te enjten gjatë një konference për shtyp, dukeshit i zemëruar, dukeshit sikur po përballeshit me një marrje peng të situatës në Ballkanin Perëndimor nga disa vende?
Është e vërtetë, isha i zemëruar, por isha i zemëruar me Bullgarinë. Po, jam i trishtuar, por në këtë rast jam i trishtuar për Bashkimin Evropian jo për Shqipërinë. Është njëlloj fuqie që të frikëson. Për më tepër, atë që po bën Bullgaria është diçka e vështirë ta përcaktosh me fjalë që u përgjigjen standardeve të zonjës në këtë emision (drejtuesja e emisionit). Është një vend anëtar i NATO-s që ka marrë peng dy vende anëtare të NATO-s në momentin kur ka një luftë, një luftë të vërtetë në kufijtë e Evropës përpara syve të 26 vendeve të BE-së që janë aty e nuk bëjnë dot asgjë.
Gazetarja- Vetoja kërkon unanimitet në çdo etapë të procesit të zgjerimit, le ta sqarojmë për telespektatorët.
– Saktësisht.
Por, ky është spektakël fuqie e duhet të gjendet një rrugë për t’u shkëputur nga kjo. Nuk duhet të bëhet mekanizëm për marrjen peng të disa vendeve për arsye të brendshme të një vendi apo të një tjetri.
Gazetarja- Ka një qeveri bullgare që ju jepte shumë shpresë, sepse donte të hiqte veton, e cila u hoq këtë javë. Tani ka një qeveri të re që po e presin. Nëse kjo veto do të hiqej shpejt, kishit shpresë se do të zhbllokohej procesi apo kërkonit një rrugëdalje, donit të ndaheshit më në fund nga ai që shkakton probleme. Në këtë rast Maqedonia e Veriut, sepse ju donit të ecnit në të njëjtën kohë, në të njëjtën rrugë drejt hapjes për njërën kandidaturë, por kjo nuk ka të ngjarë të jetë e lehtë.
– Unë nuk kam qenë asnjëherë optimist për zgjidhjen. Ka një shans shumë të vogël. Nëse zgjidhet do të jetë shumë mirë, nëse jo ne sigurisht do të kërkojmë të ndahemi, sepse nuk e dimë se sa kohë mund të marrë procesi. Zgjidhja e problemit me Greqinë ka zgjatur më shumë se 17 vjet.
Gazetarja- Maqedonia ka patur probleme me Greqinë për emrin, tani ka problem me Bullgarinë për gjuhën. Në fakt është shumë e komplikuar. Të flasim pak për Gjykatën Evropiane të Audituesve që ka publikuar një raport akuzues për vendet e Ballkanit Perëndimor. 700 milionë euro të shpenzuara nga Bashkimi Evropian, gjatë shtatë viteve të fundit, për të mbështetur shtetin e së drejtës në 6 vende, që kanë ndikuar shumë pak në avancimin e qasjes e zgjidhjen e problemeve në fushën e drejtësisë. Kanë patur pak ndikim në avancimin tuaj drejt zgjidhjes së problemeve në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, madje ka patur regres në disa vende.
KM – Për kë bëhet fjalë?
Gazetarja – Kjo është shumë shqetësuese për Gjykatën Evropiane të Audituesve. Mos kemi të bëjmë me një rajon të pa reformueshëm?
Së pari, për sa i përket kësaj çështjeje, Shqipëria është në pararojë të vendeve të rajonit. Ne vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi, që është konsideruar nga të gjithë si një model. Po ju jap një shembull: nëse ju do të pyesnit këdo në Shqiperi para 3 apo 4 vitesh, nëse ky apo ai mund të imagjinonte një ditë gjatë jetës së tij një person me pushtet politik para një gjykatësi, para drejtësisë apo në burg (siç është rasti i ish-kryeministrit) ju do ta kuptonit. Sot nuk ka vetëm një rast, por disa raste.
Gazetarja – Po, por ata ishin pjesë e mazhorancës tuaj.
Sigurisht.
Gazetarja – Mazhoranca juaj është njollosur kohët e fundit nga disa skandale.
Njollosje është fjalë shumë e madhe. Jo, bëhet fjalë për një vullnet, vullnetin tonë. Ne kemi marrë përsipër sfidën e madhe për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe e kemi thënë. Nuk e reformojmë për të thënë tanët janë të paprekshëm e tuajët janë të dënueshëm. Kjo reformë është për të gjithë. Për këtë arsye në Shqiperi ka sot një sistem drejtësie që ka nisur të bëjë hetime, por nuk është ende ne standardet e një vendi të BE-së, siç është Franca. Ka një sistem drejtësie, i cili mund të bëjë hetime dhe procese gjyqësore për cilindo.
Gazetarja – Ka megjithatë reagime të ashpra mes qeverisë tuaj socialiste dhe një qeverie konservatore apo partisë konservatore në opozitë, të reflektuara edhe në protesta të dhunshme.
Por u bë një kohë e gjatë që nuk ka patur protesta të dhunshme, ka pasur një protestë të dhunshme por ka qenë mes tyre, por protesta e dhunshme ndaj qeverisë nuk ka prej shumë kohësh.
Gazetarja – Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi në Parlamentin Evropian fillimin e një komuniteti politik evropian, një entitet i ndryshëm nga Bashkimi Evropian, që do të bënte të mundur forcimin e lidhjeve me vendet që nuk kanë hyrë ende në BE. Kjo ide është mirëpritur së fundmi nga Ukraina, nga vendi juaj, në veçanti ju, nga ana tjetër, jeni pro. A keni biseduar me presidentin Macron dhe çfarë prisni konkretisht nga ky komunitet?
Unë kam nderin, privilegjin, që të mund të flas me të sepse kemi një marrëdhënie të mirë dhe nuk është sekret që kam shumë respekt për të dhe mund t’ju them se kjo ide është e duhura, kjo është ajo çfarë duhet në këtë moment, sepse nuk mund të themi zgjerim, zgjerim, zgjerim dhe veçse për zgjerim apo për t’u zgjeruar nuk flitet. Ne duhet të krijojmë një komunitet politik, ku tamam siç është thënë më parë, të gjitha vendet të ndihen pjesë e së njëjtës familje, të gjitha vendet e Evropës që natyrisht përfaqësojnë Evropën demokratike ose që aspirojnë demokracinë jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe pastaj ka kate të ndryshme, dhe të paktën kur bëhet fjalë për t’u bashkuar në dhomën e madhe të debateve të mëdha, ne jemi bashkë, sepse nuk mund të jetojmë në një Evropë ku ka një rajon si Ballkani i rrethuar nga kufijtë evropianë, është i vetmi realitet gjeografik, me sa di unë, në historinë e botës, i cili ka një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm dhe atëherë kur ka një pandemi ne nuk jemi pjesë e shpërndarjes së vaksinës dhe pastaj duhet të vrapojmë në Kinë, në Rusi, në Turqi dhe për shembull, nëse Turqia nuk do ta kishte ndihmuar Shqipërinë në atë kohë, do të kishim vdekje të panumërta. Kjo është një ide shumë e mirë, nuk është hera e parë që një president francez hedh ide të tilla, edhe Nicolas Sarkozy foli për qarqe, nuk është sekret që Franca nuk është një vend shumë entuziast për zgjerimin, te kërkosh në Francë një konsensus për zgjerim është si të kërkosh arin në shkretëtirën e Arabisë Saudite, por nga ana tjetër ka shumë kuptim.
Gazetarja – Edi Rama ju shkuat në mes të qershorit në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës dhe disa ekspertë parashikojnë tani një luftë të gjatë, së pari ju ndani këtë analizë dhe më pas a mundet Evropa të vazhdojë të ecë përpara me këtë kërcënim rus mjaft të fortë duke u përpjekur t’i japë fund konfliktit me sanksione.
Po, isha në Kiev siç thashë më parë dhe pata mundësinë të vizitoja Ukrainën dhe madje edhe territoret në Donbass dy vjet më parë kur Shqipëria mbante presidencën e radhës së OSBE-së dhe mund të ndjeje diçka që ishte vërtet në ajër, ndjesi shumë të forta të një konflikti që ishte në shpërthim, po është e vërtet nuk është një luftë që do të përfundojë shpejt. Sigurisht që në këtë luftë janë Rusia dhe Ukraina, por padyshim është vizioni imperialist i botës dhe e drejta e shteteve sovrane për të mos u kërcënuar në integritetin e territorit të tyre dhe ka gjithashtu diçka që është shumë e qartë se është në lojë nga njëra anë kufijtë e durimit rus dhe kufijtë e durimit perëndimor. Dhe këtu nuk e dimë në do të kemi si komunitet, le të mos themi si qeveri dhe forca politike, një komunitet i madh i një bote të lirë, durimin për të shkuar deri në fund. Eshte pikërisht kjo qe do të vendose, sepse inflacioni dhe çmimet dhe gjithçka nuk është diçka me të cilën, për shembull, francezët janë mësuar prej shumë kohësh dhe më pas është një botë dhe një Evropë ku është kultivuar egoizmi kombëtar që prej një kohë të gjatë dhe kështu në këtë botë shumë më egoiste se të themi 20 apo 30 vjet më parë nuk është e qartë se kjo luftë do të përfundojë ashtu siç dëshirojmë ne.
Gazetarja – Dhe gjithashtu pika shumë specifike fërkimi, mosmarrëveshje në kampin evropian, vendi juaj për shembull ka miratuar sanksione ekonomike kundër Rusisë, nga ana tjetër nuk ndodh e njëjta gjë me Serbinë, ajo sapo ka zgjatur me tre vjet kontratën e saj të furnizimit me gaz rus, a është ky një problem, a mundet
Jo, këto janë histori shumë të ndryshme, këtu nuk duhet t’i përziejmë të gjitha në të njëjtin kuadër, sepse duhet të kuptojmë edhe realitete të caktuara, këtë nuk po e them këtu për ju, por e thashë edhe në mbledhjen e Këshillit. Serbia ka një situatë krejt tjetër historike dhe të lidhjeve ekonomike e tregtare. Shqipëria nuk ka, për ne Rusia është një vend shumë i largët, ne kishim në fuqi stalinizmin, ishim të vetmit që kishin stalinizmin deri në vitin 1990 dhe në të mirë apo në të keq Rusia identifikohet me këtë vuajtje, ndaj marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë janë minimale, edhe në momentet më të bukura, minimale, nuk kemi marrëdhënie tregtare.
Nuk ka gaz rus në vendin tonë, sigurisht ne i vuajmë pasojat si gjithë të tjerët sepse edhe për ne Ukraina është gjithashtu një furnizues i madh për bukë dhe gjithçka është ndryshe. Pra, gjëja e rëndësishme është të mos lejojmë që kjo luftë të prekë Ballkanin, Ballkani është hallka më e cënueshme në Evropë, dhe ne po përpiqemi të bashkëpunojmë me Serbinë, po përpiqemi të shkojmë së bashku drejt së ardhmes dhe të mos biem përsëri në kurthin ku gjithmonë kemi rënë ne në Ballkan dhe kemi patur vetëm viktima, vdekje dhe shkatërrime. Serbia nga ana tjetër ka bërë një hap të rëndësishëm, ka votuar tri herë në OKB pro Perëndimit kundër Rusisë, ndërsa për sanksionet jam dakord, por nuk duhet të kërkojmë gjithçka dhe menjëherë sepse mund të pëlcasë dhe nëse plas është shumë më keq.
Gazetarja – Keni të drejtë ku theksoni se edhe ju jeni anëtar i NATO-s dhe gjithashtu ndjeni nevojën për të forcuar lidhjen me Aleancën në të cilën jeni anëtar.
Ne po ndërtojmë një aeroport si një bazë taktike e NATO-s për fluturimet e Aleancës.