Ky nivel ekstravagance do e turpëronte edhe një car.
Kështu shkruan gazeta britanike, Guardian, e cila publikon foto dhe të dhëna për një vilë pushimesh të quajtur ‘Kasollja e peshkatarit’.
Kjo vilë, ose dacha siç njihet në rusisht, mendohet se është në pronësi të presidentit rus, Vladimir Putin.
Brenda në vilë, një bide kushton të pak 10.800 dollarë, kurse kokat e dushit shkojnë deri në 4600 dollarë një copë.
Dyshemeja është mermer Fior di Bosco me një vlerë prej 110 mijë dollarësh. Kurse pishina e brendshme është e pajisur me një ujëvarë dekorative.
Asgjë nuk është kursyer për të mobiluar vilën që ndodhet thellë në pyjet e rajonit verior të Karelias në Rusi.
Ndërsa inteligjenca britanike thotë se Putin ka të regjistruar vetëm një apartament të vogël në Shën Petersburg, dy makina sovjetike dhe një rrogë prej 110 mijë sterlinash në vit, pasuria e kreut të Kremlinit mendohet se shkon mbi 4.5 miliardë dollarë.
Mes aseteve të Putinit është edhe kjo shtëpi pushimi, e pajisur me një birrari private me vlerë 345 mijë euro, e cila mund të prodhojë 47 litra birrë austriake në ditë.
Punimet për ndërtimin e saj nisën vitin e kaluar dhe mendohet se vetëm ndërtimi ka kushtuar të paktën 2.8 milionë sterlina.
Putini vetë e mohon se kjo vilë është në pronësinë e tij. Por banorët e zonës e dinë se kush vjen aty për pushime, i shoqëruar rëndë nga forcat speciale dhe ato të inteligjencës.
Zyrtarisht vila është në pronësi të një kompanie të një oligarku, i cili është aksioner në një bankë që njihet me pseudonimin ‘Banka e Putinit’.