Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij të shkurtër në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ka mohuar se ka probleme ndërmjet tij e kryeministrit Kurti.
Rama ka thënë se nuk ka çështje të hapura mes tij e Kurtit.
“Ishte një qen që lehte aty para se të nisnin hymnet, mirëpo pas hymneve edhe qeni nuk lehu më. Çka mbase jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve, që kërkojnë të fusin xixa mes nesh. Njerëzit kërkojnë të fusin xixa mes nesh, dhe kërkojnë çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla sepse jemi shumë të hapur, dhe për çështjet që nuk merremi vesh kemi kënaqësinë t’i ndajmë që jemi marrë vesh për tu mos marrë vesh”, ka thënë Rama.
Ai vlerësoi se ka raporte të mira me Kurtin, duke shtuar se “qeshim mes vete”.
“Dua ta falënderoj Binin dhe ju të gjithëve, por në veçanti Binin. Është një kënaqësi e veçantë që kur ne takohemi, kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak, kjo është e rëndësishme.”, ka thënë Rama në fillim të mbledhjes së dy qeverive.
/a.r