Që kur ushtria ruse sulmoi Ukrainën gati katër muaj më parë, mijëra civilë janë vrarë dhe qytete të tëra janë kthyer në gërmadha, ndërsa miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Por të enjten, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin. “Ne nuk e pushtuam Ukrainën,” pohoi ai, në një intervistë për BBC.
“Ne shpallëm një operacion të posaçëm ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t’i shpjeguar Perëndimit se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte një akt kriminal”, ka thënë Lavrov.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Lavrov ka dhënë vetëm disa intervista për mediat perëndimore, përcjell abcnews.al.
Ai përsëriti linjën zyrtare të Kremlinit se kishte nazistë në Ukrainë. Zyrtarët rusë shpesh pretendojnë se ushtria e tyre po “de-nazifizon” vendin, shkruan BBC.
Lavrov shkaktoi bujë kohët e fundit kur u përpoq të justifikonte deklaratën për nazistët në lidhje me presidentin e Ukrainës, i cili është hebre, duke bërë pretendimin qesharak se Adolf Hitleri kishte “gjak hebre”.
Gazetari i BBC Steve Rosenberg i citon atij gjatë intervistës një raport zyrtar të Kombeve të Bashkuara për fshatin ukrainas Yahidne, në rajonin Chernihiv, i cili thotë se “360 banorë, përfshirë 74 fëmijë dhe pesë persona me aftësi të kufizuara, u detyruan nga forcat e armatosura ruse të qëndrojnë për 28 ditë në bodrumin e një shkolle… Nuk kishte tualete, ujë… vdiqën 10 të moshuar”.
“A është kjo luftë kundër nazistëve?” “Është një keqardhje e madhe,” tha Lavrov, “por diplomatët ndërkombëtarë, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe përfaqësues të tjerë të OKB-së, po vihen nën presion nga Perëndimi. Dhe shumë shpesh ata janë duke u përdorur për të përforcuar lajmet e rreme të përhapura nga Perëndimi”, thekson ai.
“Rusia nuk është e pastër. Rusia është ajo që është. Dhe ne nuk kemi turp të tregojmë se kush jemi”, përforcon më tej Lavrov.
Lavrov, 72 vjeç, ka përfaqësuar Rusinë në skenën ndërkombëtare për 18 vitet e fundit, por tani ndërkombëtarët kanë vendosur sanksione ndaj tij dhe vajzës së tij.
SHBA e ka akuzuar atë për ndjekjen e një narrative të rreme të Ukrainës si agresore dhe për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për pushtimin e Rusisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të saj.
g.kosovari