Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se po punohet me ekspertë për të gjetur një emër të ri për linë e majmunëve. Kjo vjen pasi më shumë se 30 shkencëtarë javën e shkuar theksuan nevojën për një një emër tjetër jo diskriminues.
Shkencëtarët thanë se referimi i vazhdueshëm ndaj virusit si afrikan është edhe i pasaktë dhe diskriminues. Javët e fundit në mbarë botën janë raportuar rreth 1600 raste të këtij virusi.
OBSH ka deklaruar se do të mbajë një takim urgjent javën e ardhshme për të përcaktuar nëse shpërthimin e virusit do ta klasifikojnë ose jo si një emergjencë të shëndetit publik me rrezik ndërkombëtar.
“Shpërthimi i lisë së majmunëve është i pazakontë dhe shqetësues. Për këtë arsye kam vendosur të mbledh Komitetin e Emergjencës sipas rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit javën e ardhshme, për të vlerësuar nëse ky shpërthim paraqet një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, tha Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.
/a.r