Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, gjatë vizitës së tij në Amerikë është takuar dhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit (e njohur gjerësit si FBI). Christopher Wray përgëzoi Nanon, për kurajon dhe profesionalizmin në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Shefi i FBI-së konfirmoi mbështetjen e palëkundur të agjencive ligjzbatuese amerikane për Policinë shqiptare. Vizita e kryepolicit përforcoi marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunuese mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe qeverisë së SHBA-së.
Gledis Nano është trajnuar për 10 javë në Akademinë e FBI-së, duke u vlerësuar shkëlqyeshëm për njohje shumë të mirë të ligjeve, njohuri shkencore në mënyrën e funksionimit, njohuri shumë të mira të terrorizmit, shëndet dhe aftësi fizike shumë të mirë dhe aftësi të larta të lidershipit.
Përveç takimit të tij me drejtorin e FBI-së, Nano më herët u takua edhe me zv.ndihmësprokurorin e Përgjithshëm, njëkohësisht Këshilltar për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Swartz, shefin e Operacioneve të Jashtme të Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), George Papadopoulos, dhe drejtues të lartë nga Byrotë Diplomatike të Departamentit të Shtetit për Sigurinë dhe Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Vizita në Uashington theksoi partneritetin SHBA-Shqipëri dhe rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, nëpërmjet operacioneve të përbashkëta, trajnimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë./m.j