Për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Sarzana është vënë në lëvizje edhe Ministrja italiane e Drejtësisë. Mediat fqinje raportojnë se Ministrja Marta Cartabia ka kërkuar që inspektorët e saj të kryejnë hetime sa i përket faktit se përse Daniele Bedini nuk ishte i arrestuar. 32-vjeçari akuzohet për vrasjen e shqiptares Nevila Pjetri, në Marinella di Sarzana, ndërsa po hetohet po ashtu për vrasjen e transeksualit Carlo Bertolotti, alias Camilla.
Daniele Bedini duhet të kishte qenë në burg, për të shlyer dënimin me 3 vjet heqje lirie për një grabitje me armë të ndodhur në një sallë lojërash në Massa Carrara.
Në qytetin toskan në fakt kanë nisur hetimet për të kuptuar se çfarë e ka penguar ekzekutimin e dënimit për të riu italian. Edhe Prokurori i Përgjithshëm i Kasacionit, Giovanni Salvi, ka hapur një hetim për këtë çështje.
Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera vendimi përfundimtar për Bedinin ishte dhënë në Dhjetor të vitit 2021, por urdhri i arrestit kishte ardhur të mërkurën… dy vrasjet ndodhën pak ditë më pas.
Ndërkohë Bedini ndodhet në burgun e La Spezia që prej së hënës. I asistuar nga avokati i tij, 32-vjeçari përdori të drejtën për të mos iu përgjigjur pyetjeve teksa doli para gjykatës për vlerësimin e masës së arrestit.
/a.r