Pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milione euro në pronësi të Gentian Sharrës dhe babait të tij, Mustafait u sekuestruan me vendim të gjykatës së Elbasanit, në operacionin “Illegal assets”.
Gentian Sharra ndodhet i arrestuar tashmë, pasi prangat i vunë gjatë operacionit “Plumbi i artë”, zhvilluar pas rrëfimit që ka bërë për hetuesit Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, ku ka zbuluar implikimin në ngjarje të rënda kriminale në vend për 8 banda të rrezikshme.
Në rrëfimin e tij, Dumani, që e publikon sot “GazetaPanorama.al”, i penduari i drejtësisë ka treguar për implikimin e Gentian Sharrës në të paktën dy ngjarje.
Njëra prej tyre, grabitja e një argjendari në Elbasan, në fillim të vitit 2011.
Sipas rrëfimit të Dumanit, organizator i kësaj grabitje ka qenë Gentian Sharra.
“Neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën.
Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makinë Benz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250. Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe.
Ngjarja e dytë ku e implikon Gentian Sharrën dëshmia e Nuredin Dumanit bën fjalë për vjedhjen me armë të shtetasit Xhemali Liçi, më datën 19.11.2012, në qytetin e Elbasanit.
SPAK thotë se me rëndësi për këtë çështje është deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës, i cili sqaron se: “……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij.
Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën.
Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave ka ardhur Talo Çela se bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe me thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënavlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro…. Të njëjtën shumë sa unë kishte marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori”.
CFARE THUHET NE DOSJEN E PROKURORISE, DESHMIA E NUREDIN DUMANIT
Shtetasi Lirak Bajraktari ka sqaruar në deklarimin e datës 22.02.2011, se ka me qira një dyqan argjendarie në lagjen “Shën KolI” Elbasan. Të gjitha bizhuteritë që i ka ne dyqan, çdo ditë Liraku, kur mbyll dyqanin i merrte për siguri në shtëpi.
Më datë 22.02.2011, ka dalë nga shtëpia rreth orës 08.00, ka marrë çantën ku mbante bizhuteritë dhe ka zbritur poshtë, nga kati i tretë ne katin e parë. Ka hapur derën kryesore dhe nëpërmjet antifurtit ka hapur makinën. Ka hapur bagazhin dhe ka vendosur çantën ku kishte futur bizhuteritë prej floriri. Është afruar pranë derës së makinës, në anën e shoferit dhe ka konstatuar se xhami i derës së parë në anën e shoferit ishte i hapur rreth 3- 4 cm si dhe ka vërejtur se ishte lagur edhe sedilja.
Liraku mendoi se ndoshta e kishte harruar vete hapur xhamin e dritares. Vendosi çelësin në kuadrin e makinës dhe ka hapur një shilte që kishte në sediljen e parë të pasagjerit.
Ka dalë nga makina me qëllim që të rregullonte sediljen kur ka vërejtur një person që po vinte me vrap nga rrugica e anës jugore, ngjitur me shtëpinë e shtetasit Muharrem Ferhati.
Ky shtetas është afruar tek Liraku dhe ka nisur ta godasë në pjesën e kokës. Pas disa momentesh personi u largua me vrap në një rrugicë të ngushtë lagje. Liraku ka bërtitur dhe në këtë kohë është dëgjuar nga bashkëshortja e tij Eglantina Bajraktari e cila ka zbritur nga kati i tretë.
Bizhuteritë që Liraku i kishte futur ne një çantë të te madhe doku, me ngjyre blu të erret, me dy xhepa anash, me doreza kafe, ku ka pasur unaza ferma dhe meshkujsh, me peshë afërsisht 2 (dy) kg, zinxhirë (varëse meshkuj dhe femra) afërsisht 2,5 kg, vëthë, shkronja, lule, serm, ora të lara në flori etj. E gjithë vlera shkonte afërsisht 10 000 000 (dhjete milionë lekë) të rinj. Karakteristikat e personit Liraku i përshkruan si i moshës 30 vjeç, i gjatë rreth 170 cm, me trup të mbushur, mbante të veshur një fësh të zi ose blu i errët, me kapuç në kokë, me fytyrë të rrumbullakët, pak ezmer.
2.2 Bazuar në aktin e ekspertimit mjeko ligjor nr 43 datë 23.02.2011 është arritur në përfundimin e se në trupin e të dëmtuarit konstatohen shembje te kokës dhe trupit, plagë dërrmishje e ënjtje Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet mbretës. Dëmtimet e shkaktuara hyjnë në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë më masën më tepër se 9 ditë.
2.3 Nga ana e prokurorisë janë kryer një sërë veprimesh hetimore të përshkruara në kërkesën e paraqitur dhe ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se njëri prej autorëve të ngjarjes ka qenë shtetasi Ilirian Feçi. Meqenëse ky shtetas, rezultonte të ishte duke u proceduar nga Prokuroria për Krime të Rënda në kuadër te procedimit penal Nr.33 viti 2011 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan nuk kishte pasur më kompetencën për vazhdimin e këtij hetimi dhe për këtë arsye ka dërguar aktet në Prokurorinë e krimeve të renda. Nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, pasi janë kryer hetimet është arritur në përfundimin se në ngjarjen e datës 22.02.2011 i pandehuri Ilirian Feçi, ka kryer veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar.
2.4 Me rëndësi për këtë çështje është deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani, i cili në dëshminë e tij dhënë për organin e akuzës më datë 15.04.2022, sqaron se:
;;…Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe.
Ilir e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha më paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit.
Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shume prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra. Pistoletë jugosllave me sa mbaj mend Zastava.
Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën.
Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makinë Benz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250. Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe.
Në shtëpi kam shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3 të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Eshtë shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumë 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja.
Prokuroria arsyeton se: Në këtë vjedhje autorët e përfshirë janë Ilirian Feci (i proceduar veçmas), Gentian Sharra, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, të cilët dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Vjedhje me dhunë” kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Lirak Bajraktari, ndodhur në datën 22.02.2011, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
4. Lidhur me faktin penal të vjedhjes me armë në dëm të shtetasit Xhemali Liçi, ngjarje e ndodhur në datën 19.11.2012, në qytetin e Elbasanit.
4.1 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 27.04.2022, procedimin penal nr.86 (në bazë të akteve të procedimit nr. 1176/2012 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, të rifilluar) që bën fjalë për vjedhjen me armë të shtetasit Xhemali Liçi, ngjarje e ndodhur në datën 19.11.2012, në qytetin e Elbasanit. Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 140, 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
4.2 Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e datës 19.12.2012, e ndodhur në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, pranë shkollës jopublike “Inkus” dhe pranë banesës së shtetasit Xhemali Liçi ku në orët e para të mëngjesit, persona te paidentifikuar të cilët ishin të pajisur me armë zjarri kanë qëlluar shtetasin Xhemali. Pas këtij veprimi autorët e ngjarjes i kanë marrë Xhemalit një sasi të konsiderueshme parash prej 12 300 000 lekësh. Pas kryerjes së veprimit kriminal autorët janë larguar me një mjet të bardhë i markës opel në drejtim të panjohur. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes nga ku rezulton se në vendngjarje është shtënë me armë zjarri duke u fiksuar 3 gëzhoja, njolla gjaku si edhe mjeti me targa EL 4169 B i të dëmtuarit Xhemali Liçi.
Nga vendi i ngjarjes është marrë me cilësinë e provës materiale mostër gjaku si dhe janë sekuestruar gëzhojat e qitura. Shtetasi i dëmtuar Xhemali Liçi është dërguar me urgjencë në spital duke u mbijetuar plagëve të marra. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes nga ku rezulton se në vendngjarje është shtënë me armë zjarri duke u fiksuar 3 gëzhoja, njolla gjaku si edhe mjeti me targa EL 4169 B i të dëmtuarit Xhemal Liçi.
Nga vendi i ngjarjes është marrë me cilësinë e provës materiale mostër gjaku si dhe janë sekuestruar gëzhojat e qitura. Shtetasi i dëmtuar Xhemali Liçi është dërguar me urgjencë në spital duke u mbijetuar plagëve të marra. Nga ana e organit procedues janë marrë vendimet për kryerjen e ekspertimeve dhe janë administruar aktet përkatëse.
4.3 Nisur nga të dhënat e mundshme lidhur me mjetin që u përdor nga autorët ishte një automjet tip Opel Corsa me ngjyre te bardhe u ka shërbyer autorëve për tu larguar, janë mbajtur raportet e shërbimit nga shërbime të policisë së shtetasit të datës 19.12.2012, gjithsej 5 copë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë arritur ta konstatojnë apo të identifikojnë një mjet të tillë. Me qëllim zbardhjen apo përftimin e të dhënave lidhur me autorët e veprimit kriminal dhe kryesisht lidhur me mjetin, janë ndërmarrë veprime sekuestrimesh dhe administrim të regjistrimeve filmike në pika të ndryshme të qytetit të Elbasanit si edhe institucione nga ku është menduar se kanë lëvizur autorët dhe mjeti i tyre.
4.4 Në bazë të informacioneve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, dërguar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Elbasan është kërkuar me shkresën nr. 48 datë 07.02.2013 rezulton se të dhënat e para të administruara është mësuar se vjedhjen e kanë realizuar katër persona të armatosur ku dy prej tyre kanë qenë të maskuar me armë pistoleta të cilat edhe i kanë përdorur kundër Xhemalit. Nga ana e prokurorisë janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe janë administruar deklarimet e personave që mund të kishin dijeni lidhur me ngjarjen.
4.5 Me rëndësi për këtë çështje është deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës, i cili sqaron se: “……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Me tha se nëse isha dakord që unë duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime. E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan hajde takohemi. Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të linjës Durrës– Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos.
Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën. Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty duke pritur të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rruge një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hap derën e mjetit dhe futi një çantë në sedilen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks dhe një herë në këmbë. Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel.
Dua të shtoj se jam afruar dhe unë në momentin e konfrontimit pasi kam lenë çantën sepse personi ishte i fuqishëm dhe e kam goditur me shkelm në bark. Të gjithë jemi larguar tek magazina e Ardjanit ku kemi lënë mjetin Opel. Kjo magazinë ndodhej në Fushë Mbret. Nga aty mua me Dorin me ka marrë me mjetin e tij nipi i Ardjanit me një benz të bardhë dhe na çoi në rrugën Elbasan – Peqin ku kemi ndaluar një furgon dhe jemi larguar për Durrës. Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave ka ardhur Talo Çela se bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe me thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënavlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro…. Të njëjtën shumë sa unë kishte marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori”.
4.6 Në kërkesën e paraqitur prokuroria arsyeton se: Deklarimet e dhëna nga i hetuari përputhen më së miri me provat e tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimit dhe janë të atilla që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Nuredin Dumani, Gentian Sharra, Dorian Shkoza dhe Ardian Çollaku kanë konsumuar elementët e veprave penale “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 140, 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasit Xhemali Liçi./m.j