Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe vënë në pranga 2 nga autorët e dyshuar, të cilët goditën me sende të forta punonjësin e Policisë të DVKM Gjirokastër Sokrat Muho, ditën e djeshme.
Gjithashtu blutë kanë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë.
U arrestuan shtetasit G. Zh., 35 vjeç dhe G. R., 22 vjeç, banues në Sarandë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerët, shtetasit K. Zh., 23 vjeç dhe S. S., 30 vjeç, banues në Sarandë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Si ndodhi ngjarja
Sokrat Muho, efektiv policie, u dhunua me sende të forta ditën e djeshme rreth orës 12:45 në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër.
Ai u godit me levë në kokë jashtë orarit të punës. Menjëherë u dërgua në spital ku mori ndihmën e parë mjekësore.
g.kosovari