Nga Ylli Pata
Mungesa e Kosovës në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër, sado që të mbulohet me retorikë nga Prishtina, nuk mund të fshehë askush faktin se atje “shkëlqeu” vetmia diplomatike e shtetit më të ri në Europë.
Në një samit të një rajoni që ka brenda tij gjashtë shtete, ishin prezent pesë, si dhe dy zyrtarë të lartë të qeverisë së SHBA; Gabriel Escobar dhe Komisioneri Europian, Oliver Varhelyi.
Pa harruar legjendën e gjallë të diplomacisë amerikane Chirs Hill, njeriu që hapi ambasadën amerikane në Tiranë në vitin 1991, organizoi tratativat që çuan në Konferencën e Rambujesë për Kosovën, drejtoi ambasadën e SHBA në Shkup në luftën mes shqiptarëve e maqedonasve në vitin 2001, ka drejtuar negociatat për të çarmatosur Korenë e Veriut nga mbushet bërthamore, e sot është ambasador i SHBA në Beograd, në kohën shumë të rëndësishme, ku po luhet një zhvillim epokal, shkëputja e Rusisë nga Ballkani.
Një nga aktet kulmore të kësaj drame u luajt para pak ditësh, ku njeriu më i fuqishëm jo vetëm i diplomacisë ruse, por një personazh me influencë të madhe, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov nuk u la të hynte në Beograd.
E tre nga njerëzit që kishin firmosur kalimin e Lavrovit në hapësirën e tyre ajrore ishin në Ohër: Dritan Abazoviç, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama.
Serbia, vendi më i madh i Ballkanit Perëndimor, aleati më i ngushtë i Moskës dhe Pekinit në këtë rajon, ka kohë që llastohet nga Perëndimi, pikërisht pas qershorit 1999, kur trupat serbe u larguan nga Kosova për të mos u kthyer më.
Kosova, e cila deri në vitin 2008 u administrua nga OKB nën mbrojtjen e trupave të NATO-s që janë ende edhe pse me një numër të kufizuar, është trajtuar me kujdes nga SHBA dhe BE, si “fëmija i ri” i Perëndimit në një rajon, ku në dy luftrat botërore u përplasen fuqitë më të mëdha botërore.
Sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, kur dilte nga takimet së bashku me kryeadministratorët e Kosovës, përdorte shprehjet: “ne po punojmë, po e bëjmë, do ta arrijmë”, duke dhënë simbolikën e qartë e ortakërisë së plotë të Kosovës me SHBA, NATO-n e natyrisht Bashkimin Europian, i cili dërgoi misionin e saj EUELEX për të vendosur “rule of low”.
Kosova, që nga viti 1999 ka marrë pjesë në takime ndërkombëtare e rajonale pa fund. Në Beograd kanë shkuar ministra e zyrtarë të lartë të Kosovës në samite rajonale, e të tillë kanë shkuar edhe në Prishtinë. Që nga Goran Zvilanoviçi, ministri i jashtëm serb i të ndjerit Zoran Xhinxhiç, që ka lindur në Gjilan, e deri te Ivica Daçiç, i cili ka lindur në Prizren.
Vizita e Daçiçit në Prishtinë në vitin 2015 bëri më shumë bujë, ngase ai si “djali politik” dhe klonimi i Sllobodan Milosheviçit, po rikthehej si zyrtar në vendin e krimit të shefit të tij, por tashmë të Perënduar.
E gjithë kjo logjikë nuk ishte gjë tjetër, veçse një përpjekje e Perëndimit për të zgjidhur një armiqësi në Ballkan mes shqiptarëve e Serbëve, e për ta mbyllur përfundimisht këtë çështje.
E cila nuk është e lehtë, edhe pasi ka faktorë të tjerë në lojë si Moska, që nuk lejon zgjidhjen, duke mbajtur peng së bashku me Pekinin, pranimin e Kosovës në OKB, me përdorimin e të drejtës së vetos.
Deri në vitin 2016, e gjithë politika e Kosovës ishte dakord për kursin e nxitur nga SHBA e BE, pra për qetësimin dhe relaksimin e marrëdhënieve me Beogradin. Ishte koha kur Kosova kishte nisur procesin e integrimit europian, e priste liberalizimin e vizave, si të gjithë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
SHBA e BE, për t’ju afruar çështjes së zgjidhjes finale të Kosovës, sugjeron firmosjen e një marrëveshje demarkacioni për të njohur kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Që sipas një modeli të tillë më pas të firmoset edhe me Serbinë. Marrëveshja bëhet gati për tu miratuar në Kuvendin e Kosovës, por aty nis gjithçka.
Ramush Haradinaj me një teatralitet absurd, dhunon një zyrtar në ministrinë e Jashte të Kosovës dhe gris hartat, duke kërkuar “bjeshkët” që sipas tij i kanë pasur gjithmonë njerëzit e malësisë së Rrafshit të Dukagjinit. Përveç Haradinajt, edhe Vetëvendosje e Albin Kurti dalin kundër marrëveshjes së caktimit të kufirit me Malin e Zi.
Për herë të parë Kosova nis e bën politikë ditore me çështjet e marrëdhënieve me jashtë. Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi, edhe pse ishin kundërshtarë të fortë, ata kurrë nuk janë përplasur për çështjet e marrëdhënieve me aleatët, madje kanë ngritur disa herë “ekipet e unitetit”, që janë drejtuar nga njerëzit e opozitës.
Për shembull bisedimet që sollën në Paketën Ahtisari që ishte baza e pavarësisë së Kosovës, janë drejtuar nga Hashim Thaçi, atëherë lider i opozitës së Kosovës.
Ramush Haradinaj e ktheu në politikë primare mos miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi, ç’ka për herë të parë e bëri Kosovën një partner jo më të besueshëm siç kishte qenë deri atëherë. BE bllokon menjëherë liberalizimin e vizave.
Përveç marrëveshjes me Malin e Zi, Kosova, në bashkëpunim me BE-në firmosi edhe ngritjen e Asocacionit të Komunave Serbe, e cila u kundërshtua dhe u bë kauzë politike nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, të cilat nisën një stinë të rëndë protestash të dhunshme, brenda dhe jashtë Parlamentit të Kosovës. Protesta që morën emrin e gazit lotsjellës, i cili hidhej në Kuvendin e Kosovës çdo ditë për të ndaluar punën e tij.
Por, Ramush Haradinaj, të cilit PDK i ofroi postin e kryeministrit të Kosovës, e braktisi dhunën e sapo u ul në poltronin e ri, harroi ç’kishte thënë për “bjeshkët e Çakorrit” dhe dha OK për të firmosur marrëveshjen me Malin e Zi. Megjithatë, Ramushit, i hipi në mendje, se siç mori postin e kryeministrit duke bërë “patriotin” do të rritej politikisht, duke bërtitur edhe më shumë për një çështje të madhe.
E si dy “kasandra apokalipsi”, Sali Berisha dhe Ilir Meta i frynin në vesh Ramushit se ai është i fortë, mund të fitojë zgjedhjet e të rimarrë sërish postin e kryeministrit duke dalë parti e parë. Nga Tirana, nisi një zhurmë e mediave pranë Berishës e Metës që nxirrnin sondazhe të fantaksura, të cilat flisnin për “fitoren e Ramushit”. E i fryrë nga këto sondazhe pa asnjë bazë, Haradinaj vendosi taksën 100% për prodhimet serbe në nëntorin e vitit 2018. Taksë që u përkrah hapur edhe nga Edi Rama si fillim, për tu quajtur si “reagim uluritës”, si pasojë e aksionit të Serbisë për të bllokuar rritjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme, por edhe për të zgjuar BE-në për një qëndrim më të qartë dhe energjik në përkrahje të Kosovës.
Pesë muaj pas taksës, në një zhvillim të paprecedent, Emanuel Macron dhe Angela Merkel thërrasin në Berlin liderët e Ballkanit. i kërkojnë që të pezullojë taksën 100% dhe si shpërblim do të marrë liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
Duket Ramushi, këtu pëson euforinë e tretë, pasi mendon se qëndrimi radikal e ka bërë shumë të rëndësishëm. E duket pasi konsultohet me “kasandrat e Tiranës” refuzon, duke dhënë një shfaqe të rëndë, ku siç dihet tashmë u përplas egër me Edi Ramën.
E këtu nis “vizatimi” i Edi Ramës si “tradhëtar” së bashku me Hashim Thaçin, fabul që hartohet në Tiranë nga Berisha, Meta dhe enturazhi i tyre, të cilët bëhen menjëherë idhtarë të Albin Kurtit, i cili vizatohet si një shpëtimtar i madh dhe patriot i paepur.
Më 6 tetor 2019 zhvillohen zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ku shfryhet totalisht tollumbacja e fitores së Ramushit. i cili merr thuajse të njëjtën kuotë e vetëm në Dukagjin, kurse Vetëvendosje e LDK fitojnë zgjedhjet. Albin Kurti bëhet kryeministër i vendit, e menjëherë ndodh çarja më e madhe midis Kosovës dhe SHBA-së, që kur superfuqia botërore çliroi dhe pavarësoi shtetin më të ri në Ballkan. Donald Trump, në fund të mandatit presidencial, arrin në përfundimin se duhet të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që natyrisht i është sugjeruar nga këshilltarët e tij të Sigurisë Kombëtare e Politikës së Jashtme. Është fakt që Trump në këtë përpjekje nuk e ka konsensusin e BE-së, madje krijoi një çarje të madhe me Angela Merkelin.
Albin Kurti, refuzon të pranojë parakushtet e ambasadorit Grenell për të zbutur marrëdhëniet me Beogradin, duke krijuar të çarën më të madhe me qeverinë e SHBA-së, çka çoi më pas në kundërshtimin e kreut të LDK-së Isa Mustafa, i cili me anë të një mocioni në Kuvend rrëzoi Albin Kurtin nga qeveria.
Marrëveshja e Kosovës me Presidentin Donald Trump u firmos nga kryeministri i ri Avdullah Hoti.
Albin Kurti sulmoi SHBA duke thënë se ka bërë gati thikat për ta prerë Kosovën, e nisi ironizimet nëpër rrjet: “Amelika, Amelika”.
Megjithatë, ajjo marrëveshje është ende në fuqi, dhe është përkrahur nga administrate e Presidentit Biden pas fitores së zgjedhjeve të nëntorit 2020 dhe marrjes së detyrës në fundin e janarit 2021. Por ka edhe më, përveç sherrit me Perëndimin, hapën luftë me mazhorancën në Tiranë, ku Vjosa Osmani akuzoi Edi Ramën në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, e Kurti erdhi të votojë për ta rrëzuar kryeministrin e Shqipërisë.
Albin Kurti, edhe pse fitoi zgjedhjet e vitit 2021 me një shumicë dërrmuese pas burgosjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit, duke i lënë bosh fushën politike, ai nuk është takuar me asnjë nga politikanët e lartë të SHBA. Madje gjatë një vizite shumë të gjatë në SHBA të Albin Kurtit para pak kohësh, ai u prit si zyrtari më i lartë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullvan.
Natyrisht, Albin Kurti po bën çmos që të zhbëjë të pabërat e tij të mëparshme që të zbusë relacionet e prishura me Uashingtonin, ndaj qëndroi gjatë-shumë gjatë në SHBA për të lobuar sa më shumë që të marrë me të mirë administratën dhe politikanët e Dhomës së Përfaqësuesve e Senatin. Nga “jo negociata por Vetëvendosje”, pranoi të takohet me Vuçiçin, madje edhe të hajë darkë në një rezidencë qeveritare në Berlin së bashku me të. Ndërkaq, sipas të gjitha gjasave “Zajednica” që i thoshte Asocacioni, duket se është version që diskutohet si një pjesë e kompromisit final me Serbinë. Por Kurti do ta ketë të vështirë të bindë rivalët etij të opozitës, pas asaj që i bëri atyre kur ishte në opozitë, ndaj edhe opozita e sotme është shumë e zhurmshme kur flitet për temat e politikës së jashtme.
Ramush Haradinaj tashmë ka bërë paqe me Ramën dhe ka nisur një politikë ndryshe, duke mos dëgjuar kasandrat, e Kurti vijon inercin e tij patriotike deri sat ë gjejë momentin që të bashkëngjitet në tryezën e gjashtëshes. Por e gjithë ajo zhurmë e mllef, që në Tiranë ka pasur vetëm një objektiv; të rrësojë Edi Ramën, e në Prishtinë Hashim Thaçin, është një çmim shumë i lartë për Kosovën dhe një pasiguri nëse gjërat do të përmirësohen.
E pikërisht në një moment të favorshëm ku tre nga 6 krerët e shteteve të Ballkanit janë shqiptarë, natyrisht që më e favorshme do të ishte që tre kryeministrat shqiptarë të jenë në unison, apo të koordinuar, sesa në një konflikt e mosmarrëveshje. Po kush duhet t’i flasë tjetrit i pari është puna, megjithëse një fakt është se nuk ka replika të ashpra e sharje, vetëm qëndrime të ndryshme. Ky është në fakt efekti i squlljes së “kasandrave të Tiranës”…