Autostrada në shkretëtirë e Tarimit, e cila përshkon shkretëtirën Taklimakan në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, ka arritur lëshim zero të karbonit, falë një projekti transformimi të përfunduar në fillim të këtij muaji për sistemin e ujitjes përgjatë brezit të saj mbrojtës.
Pas projektit të transformimit, shkurret përgjatë autostradës tani ujiten me ndihmën e pompave me energji diellore e jo të pompave me naftë.
Projekti vlerësohet se do të ulë konsumin e naftës me rreth 1 000 tonë dhe lëshimin e dioksidit të karbonit me 3 410 tonë në vit, sipas degës së fushës naftëmbajtëse të Tarimit të kompanisë “PetroChina”, e cila është përgjegjëse për projektin.
Autostrada në shkretëtirë e Tarimit u përurua në vitin 1995. Kjo autostradë, që kalon nëpër shkretëtirën më të madhe të Kinës, e ka zvogëluar largësinë nga kryeqendra e Xinjiang-ut Urumqi për në Hotan me 500 km.
Megjithatë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e një autostrade në Taklimakan, shkretëtira e dytë më e madhe në botë me rërë të lëvizshme, nuk ishte një detyrë e lehtë. Në vitin 2005, një brez 436 km i gjatë u vendos në të dy anët e autostradës për ta mbrojtur atë nga rëra dhe u ndërtuan 109 stacione pusesh për ujitje.
Tetëdhjetë e gjashtë nga stacionet e puseve furnizoheshin me naftë. Ato gjithashtu nuk ishin në gjendje të siguronin energji të vazhdueshme.
Në janar të këtij viti, dega e fushës naftëmbajtëse të Tarimit e kompanisë “PetroChina” nisi projektin e transformimit, duke ndryshuar të gjithë gjeneratorët e energjisë me naftë në gjeneratorë me energji fotovoltaike.
Përveç pakësimit të konsumit të naftës dhe të lëshimit të CO2-shit me ndihmën e projektit, sasia e CO2-shit “të kapur” nga brezi mbrojtës mund të arrijë mbi 20 000 tonë në vit, duke ndihmuar në asnjanësimin e CO2-shit të lëshuar nga automjetet që kalojnë, dhe duke e bërë këtë një autostradë me lëshim zero karboni, sipas degës së kompanisë “PetroChina”.
Gjeneratorët me energji diellore kanë gjithashtu pajisje për kursimin e energjisë, të cilat sigurojnë një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Autostrada me lëshim zero karboni është vetëm një shembull tjetër i përpjekjeve të Kinës për të arritur kulmin e karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda vitit 2060.
Me burimet e veta të pasura të energjive të reja, si energjia e erës dhe ajo e diellit, Xinjiang-u është një bazë kombëtare e energjisë së pastër në shkallë të gjerë.
Që nga ndërtimi i saj, autostrada në shkretëtirë e Tarimit ka lehtësuar transportin dhe ka rritur nivelin e jetesës së banorëve vendas. Ajo është një dëshmi e përkushtimit të Kinës për të përmbushur objektivat e saj për karbonin.
/e.d