4 ton e 300 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Guardia di Finanza në Trieste të Italisë.
Po ashtu, janë sekuestruar 2 milionë euro, mjete transporti ku përfshihet një kamion dhe një fuoristradë. Mediat italiane raportojnë se kjo është një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës të realizuara ndonjëherë në Evropë.
Lidhur me këtë ngjarje, janë lëshuar 38 urdhër-arreste për personat të shpërndarë në Itali, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Holandë dhe Kolumbi, që të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Hetimi për realizimin e këtij operacioni policor filloi rreth 1 vit më parë në bashkëpunim me policinë italiane, atë kolumbiane dhe me agjencinë amerikane të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare.
Vlerësohet se 4 ton e 300 kilogramë kokainë të sekuestruara janë blerë për 96 milionë euro nga grupet kriminale dhe janë rishitur në tregun italian për të paktën 240 milionë euro.
Përsa i përket detajeve të operacionit, do të bëhen të ditura gjatë një konference për shtyp që do të mbahet në orën 11:30 nga Prokurori Publik i Triestes, Antonio De Nicolo.
/a.r