Gjysma e shqiptarëve (51,1%) vetë identifikohen si të majtë në bindje ideologjike, nga e majta ekstreme (5,5%) tek ajo e më moderuar (14,2). Me bindje të djathta ideologjike, janë identifikuar 1/3 e gjithë shqiptarëve.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë, janë të moderuar në bindjet e tyre ideologjike. Mes qytetarëve me bindje të majta, pjesa më e madhe janë të moderuar (të majtë liberalë). Edhe mes të djathtëve, pjesa më e madhe i përket qendrës.
Barometri në Euronews Albania i pyeti qytetarët shqiptarë lidhur me bindjen e tyre ideologjike. Rezultatet tregojnë se gratë janë më të moderuara se burrat.
Pjesa më e madhe e grave në Shqipëri mbështesin të majtën e moderuar, ndërsa burrat janë më shumë të ekstremit të djathtë.
Ndarë sipas arsimimit, rezultatet tregojnë se sa më i lartë niveli i arsimit, aq më shumë shqiptarët kanë bindje të qendrës së majtë dhe të majtës liberale.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë në zona rurale vetë identifikohen me të majtën ekstreme. Mes banorëve të zonave urbane, pjesa dërrmuese shprehen si të majtë liberalë.
Veriu i Shqipërisë banohet nga pjesa më e madhe e shqiptarëve me bindje të ekstremit të djathtë. Në jug mbizotërojnë qytetarët me bindje të të majtës liberale dhe në Shqipërinë e mesme ata të ekstremit të majtë.
Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë në familje mes datave 25 prill dhe 7 maj.
/e.d