Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do t’i lërë vetëm 3 orë kohë kandidatëve, të cilët aspirojnë postet e nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm të pjesë së PD që drejton ishkryeministri.
“Mbledhja e parë e Kryesisë do të jetë këtë të premte, me 3 qershor në orën 14:00 në sallën e Kryesisë, në katin e 2-të të Selisë së PD-së. Ndërkohë, mbledhja e Këshillit Kombëtar do të vijojë në orën 17:00”, thuhet në mesazhin që drejtoresha e Komunikimit, Flioriana Garo, ka çuar tek anëtarët e Kryesisë.
Ndërkohë javën, që shkoi kryetari i Këshillit Kombëtar njoftoi anëtarët e Këshillit për mbledhjen e ditës së premte pasdite. “Ditën e premte, më datë 3 qershor, ora 17:00, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së. Në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të PD-së dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e PD-së”, ishte mesazhi i Palokës. Për shkak se në statutin e miratuar nga kuvendi i 11 dhjetorit dhe më pas i ndryshuar para një muaji nuk specifikohet një afat se sa kohë para duhet të dalin kandidatët për nënkryetar dhe sekretar të Përgjithshëm, Berisha duket se ka menduar të shmangë lobimet për vota për lidershipin e PD-së.
Sipas Statutit të miratuar nga anëtarët e kuvendit të PD-së që mbështesin Berishën, kandidatët për nënkryetarë dhe për sekretarë të Përgjithshëm, ata miratohen në Kryesi dhe më pas dërgohen për votim në Këshillin Kombëtar. Megjithëse deri më tani nuk ka asnjë emër të konfirmuar, në selinë blu qarkullojnë 5 emra për këto poste. Belind Këlliçi dhe Flamur Noka flitet se janë dy pretendentët kryesorë për sekretar të Përgjithshëm. Ndonëse asnjëri prej tyre nuk e ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë garë, ethet se rivalitetit ndihen në mënyrë të tërthortë.
Aktivistja Evi Kokalari, pasi u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur sulmet ndaj Belind Këlliçit se ka orientuar votat në zgjedhjet për Kryesinë. Ndërkohë, përgëzon Flamur Nokën që sipas saj nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Flamur Noka ka respektin tim total vetëm për faktin që në 22 maj doli i dyti pa asnjë lobim. Ndërsa Belind Këlliçi pati pafytyrësinë të lobojë nëpërmjet Minushes që ka qenë ishsekretarja e Flamurit, duke lënë të nënkuptohej se lobimin po e bënte Flamur Noka.
Në fakt, Flamuri se kishte idenë fare çfarë po ndodhte. Minushja tashmë punon për Besart Xhaferajn, shokun e fëmijërisë së Belindit, i cili u fut në Këshill me kuotat e rinisë dhe jo me votë. Dhe Minushja ashtu u fut. Tani, nëse Belindi ka këllqe, të dalë në garë me Flamur Nokën të premten e të shohim ku do dalë kjo garë, por realiteti është që nuk ia mban dhe më thonë është tërhequr”, shkruante Kokalari në një nga postimet e saj.
Ndërkohë, ndonëse më pak i përfolur për postin e sekretarit të Përgjithshëm përflitet edhe Arben Imami, ndonëse në zgjedhjet për Kryesi mori pak vota dhe nuk mundi të futej.
NËNKRYETARËT
Ndërkohë me më pak zhurmë duket gara për nënkryetarët e PD-së që drejton Berisha. Deri më tani ka konfirmuar aspiratën e tij për të kandiduar për nënkryetar, Oerd Bylykbashi. Ndërsa, një emër tjetër i përfolur, por që ende nuk është konfirmuar për të kandiduar është Luçiano Boçi, i cili aktualisht është nënkryetar i Grupit Parlamentar. Një tjetër kandidaturë e pakonfirmuar për nënkryetar është edhe Agron Shehaj. Të tre në fakt ishin tek emrat e parë më të votuar në Kryesinë e PD-së.
Sakaq të premten pritet të mësohen edhe emrat e sekretarëve të tjerë, të cilët sipas statutit të PD-së nuk zgjidhen, por propozohen nga kryetari dhe miratohen nga Kryesia. “Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e partisë, si dhe për funksionimin e përditshëm të saj. Ai organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore të partisë në degët e PDSH.
Ai ndihmohet në punën e tij nga Sekretariati, i cili përbëhet nga sekretarët funksionalë, të cilët propozohen nga kryetari i Partisë me miratimin e Kryesisë, sipas fushave të veprimtarisë që vlerësohen të nevojshme. Detyrat dhe përgjegjësitë e detajuara të Sekretarëve funksionale përcaktohen në Rregulloren e PDSH. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet”, thuhet në nenin 50 të statutit të miratuar në kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Pjesë e kryesisë do të jetë edhe Albana Vokshi, e cila do vijoj të mbajë postin e kryetares së gruas në PD-në që drejton Berisha./m.j