Lija e majmunëve në Evropë po përhapet gjerësisht dhe do të vijojë të përhapet me shpejtësi nëse nuk ndërmerren veprime, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Rastet e lisë së majmunëve në Mbretërinë e Bashkuar po rriten shpejt dhe kjo ka bërë që doktoresha Catherine Smallwood e ekipit evropian të urgjencave të OBSH-së të paralajmërojë: “Ne po shohim qartë një përhapje mjaft të shpejtë në vazhdim”.
Megjithëse tubimet masive paraqesin mundësi për t’u përhapur lija e majmunëve, festivalet janë një mundësi e përkryer për të rritur ndërgjegjësimin, tha ajo, duke shtuar: “Ne me të vërtetë mund t’i përdorim ato ngjarje për të ofruar informacion dhe këshilla për njerëzit.”
Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 82 raste të reja këtë javë duke e çuar numrin e personave të prekur në 190, numri më i madh i rasteve të konfirmuara jashtë vendeve ku sëmundja është endemike.
Rritja e rasteve vjen edhe në javën e Jubileut të Platinit, e cila parashikohet të mbledhë mijëra njerëz që marrin pjesë në festa në rrugë ose ndjekin festimet mbretërore në grup.
Ndërsa frenimi i shpërthimit mund të jetë i mundur duke qenë se virusi përhapet shumë më ngadalë sesa patogjenët në ajër si COVID, numri i infeksioneve tashmë do të thotë se nuk do të jetë e lehtë.
“Është shpërndarë kaq gjerësisht, rastet nuk janë të lidhura së bashku dhe ne nuk kemi një zinxhir të vetëm transmetimi,” tha Dr Smallwood.
Shumica e rasteve janë ende duke u parë tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.
Një fokus kryesor me afrimin e verës duhet të jenë pjesëmarrësit e festivaleve, sipas OBSH-së. Por ai përjashton me vendosmëri ndalimet e tubimeve masive siç pamë gjatë pandemisë COVID-19.
“Të bësh këtë do të ishte krejtësisht kundër produktive,” tha Dr Smallwood.
/e.d