Gruaja e Thiago Alcantara, Julia Vigas, ka rrëfyer përvojën e tmerrshme që ka pasur në finalen e Ligës së Kampionëve, më 28 maj në Paris. Përplasja mes Real Madridit dhe Liverpool u shoqërua me incidente rreth “Stade de France”, para fillimit të ndeshjes.
Disa tifozë u spërkatën me piper dhe u sulmuan nga policia e bandat lokale, pasi e kishin të vështirë të futeshin në stadium me disa porta të mbyllura. Gruaja e yllit të Liverpool, Thiago, ishte dëshmitare e shumë telasheve, teksa fajësoi mungesën e organizimit dhe sigurisë.
Duke postuar në “Instagram Story”, ajo shkroi: “Nuk më pëlqen të komentoj për këto gjëra, por këtë herë duhet të shprehem. Finalja e Champions-it ishte një makth total, dhe kjo nuk ka të bëjë me futbollin, shkon përtej rezultatit.
Për shkak të mungesës së organizimit dhe sigurisë kishte shumë momente të frikshme. Ishim të kërcënuar vazhdimisht nga banda hajdutësh, që po përpiqeshin të na sulmonin dhe donin të hynin në stadium pa biletë. Për këtë shumë tifozë mbetën jashtë stadiumit, duke shkaktuar ortekë njerëzish.
/a.r