Sot është shansi i fundit për opozitën për të propozuar emrin e kandidatit për President deri në orën 16:00, ose në të kundërt kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga mazhoranca, që ka votat, por edhe një emër që e mban të fshehtë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, vendosi që të mos propozojë asnjë kandidat në 2 raundet e para, pasi akuzoi mazhorancën se kishte prishur marrëveshjen për të cilën ishte rënë dakord në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve. Marrëveshja e propozuar nga Alibeaj ishte e tillë: Opozita propozon 4 kandidatura, të cilat diskutohen me mazhorancën, për të shkuar më pas te zgjedhja e vetëm 1 kandidati, i cili do të votohej në Kuvend.
Një marrëveshje që Taulant Balla e kundërshtoi, pasi sipas tij, kjo do të thoshte Presidenti t’i jepej opozitës, me mazhorancën që s’do të kishte të drejtën e propozimit. Alibeaj dhe deputetët që e mbështesin kanë të drejtë të propozojnë vetëm 1 emër, pasi ka vetëm 31 deputetë që e mbështesin, ndërkohë që Grupi i Rithemelimit ka dalë kundër negociatave, pasi sipas tyre mazhoranca e ka zgjedhur kreun e shtetit, por po pret vetëm raundin e katërt që ta votojë.
Opozita ka edhe sot mundësinë në këtë raund të tretë për propozimet pasi sipas Kushtetutës thuhet se deri në raundin e tretë duhen të paktën 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në raundin e katërt dhe të pestë, socialistët kanë vetë 71 votat që duhen për të zgjedhur presidentin.
Mbetet për të parë nëse deri në orën 16:00 opozita do të dorëzojë emrat për kandidatë për president apo do dorëzohet pa tentuar.
/a.r