Në lidhje me këtë operacion ju informojmë se:
Prej datës 19.05.2022 deri në datën 27.05.2022, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me homologët kosovarë, është përfshirë në një operacion të koordinuar nga partnerët amerikanë, për identifikimin, gjetjen dhe riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen në kampet në Siri.
Si rezultat i bashkëpunimit me partnerët amerikanë dhe forcat kurde u bë e mundur identifikimi dhe gjetja, në kampet Al-Hawl dhe Roj, e 13 shtetasve shqiptarë, nga të cilët 3 gra dhe 10 të mitur.
Këta 13 shtetas janë transportuar me avion deri në aeroportin e Prishtinës, dhe më pas janë marrë në dorëzim nga Policia shqiptare që i ka transportuar dhe akomoduar në qendrën e pritjes në Shqipëri.
Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po vijon punën, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK dhe partnerët, për identifikimin, kapjen dhe dërgimin përpara drejtësisë të personave të përfshirë në kryerjen e veprave penale ”Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”dhe “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”.
Edhe në fazën e katërt të këtij operacioni u pa qartë se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të punuar si e barabartë me partnerët në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit .
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht me ata strategjikë, me qëllim identifikimin, lokalizimi dhe riatdhesimin e të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet famëkeqe të Sirisë.