Nga Mero Baze
Vetshpallja e Sali Berishës kryetar edhe formalisht i Partisë Demokratike, është ngjarja që është shoqëruar me më shumë heshtje në historinë 30- vjeçare të politikës shqiptare. Partia më e rëndësishme e opozitës, është përballur me një mur të frikshëm heshtje nga gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe ata vendas, pas këtij vendimi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë bërë të qartë qëndrimin edhe në të ardhme për Sali Berishën, nuk kanë ndonjë arsye të reagojnë, pasi kanë reaguar dhe paralajmëruar më parë.
Si demokratët në pushtet, ashtu dhe republikanët, e kanë bërë të qartë që me një person të dizajnuar si “non grata”, SHBA nuk do të vendosin kurrë marrëdhënie.
E vetmja amerikane e gëzuar është një emigrante që Sali Berisha e ka futur në Kryesi të partisë së tij, por dhe ajo më shumë i ka shtuar sherret me gratë e PD, se sa i ka sjellë paqe.
Bashkimi Europian, i cili po përgatit një draft për të njohur vendimet e SHBA për personat e akuzuar për korrupsion domethënës dhe minues të demokracisë, po ashtu e ka injoruar vetshpalljen e Sali Berishës kryetar të Partisë Demokratike.
Dy ditë më pare, deputeti më i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare i CDU, që mbulon dhe raportet me Partitë Popullore, paralajmëroi se në rast rikthimi të Berishës, CDU por dhe Partitë Popullore do të ndërpresin marrëdhëniet me PD.
Vetshpallja e Berishës si kryetar edhe “de jure” i PD, është shoqëruar me heshtje të thellë dhe nga aleatët rajonal të PD, madje dhe nga aleatët e saj brenda vendit.
E gjithë kjo ndodh ndërkohë që procesi gjyqësor kundër legjitimitetit të tij në krye të PD vazhdon në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe mund ta përkeqësojë dhe më tej ndarjen.
Heshtja që ka rrethuar rikthimin e Sali Berishës, është një shpërfillje e rëndë e ekzistencës së saj si parti. Heshtja e partnerëve ndërkombëtarë nga SHBA në Europë, heshtja e aleatëve brenda vendit, heshtja dhe e vet mbështetësve të Berishës, heshtja dhe injorimi i kundërshtarëve të tij, është e vetmja gjë me të cilën u përball sot Sali Berisha.
Partia Demokratike i ngjan një partie që kthehet nga një ceremoni varrimi dhe jo nga një kuvend zgjedhor. Dhe si për çdo të vdekur, heshtja është i vetmi “respekt” për Sali Berishën.