Raundi i dytë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës në Presidencë me shumë gjasa do të digjet, pasi kanë mbetur edhe pak orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që sot deri në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes maxhorancës dhe opozitës janë ndërprerë, pasi kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se PS ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. I njëjti pretendim vjen dhe nga ana e PS.
Nga Fieri ku pa nga afër procesin për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të PS, kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla u shpreh se nuk e kupton pse PD u tërhoq nga marrëveshja e arritur në konferencën e kryetarëve ndërsa shtoi se orët në vijim duhen përdorur me përgjegjësi në mënyrë që të mos digjet pa kandidatë edhe raundi i dytë.
Kurse PD thotë se PS u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin sipas tyre vetë Balla ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve. Sipas PD, PS u tërhoq nga pakti pasi pa emrat e kandidatëve për President, të cilët nuk mund ti “joshte”.
Ndërkaq Kuvendi nesër do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë maxhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.