Ditën e hënë Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë dy seanca plenare. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë Kuvendit. Mësohet se në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare, e cila në rendin e ditës do të ketë çështjet e parashikuara në Kalendarin e Kuvendit. Ndërkohë, ashtu siç është vendosur nga Konferenca e Kryetarëve në orën 18:00 do të zhvillohet seanca plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Kujtojmët se negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes mazhorancës dhe opozitës janë kthyer sërish në pikën zero. Pas dakordësisë që arritën palët në mbledhjen e konferencës së kryetarëve pak ditë më parë, ku opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha dje se mazhoranca ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus.
Para kryesisë së Kuvendit, në një deklaratë për mediat, Alibeaj njoftoi se ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ku pritej të diskutoheshin emrat e kandidatëve për presidentin e ri, dhe tha socialistë kanë shkelur paktin që emri i presidentit t’i dërgohej kuvendit me firma të përbashkëta.
Por sipas kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, nuk ka pasur dakordësi që mazhoranca të mbështesë me firma kandidatët e opozitës. Për Ballën, Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas mazhoranca të propozojë në raundin e katërt dhe pestë. Megjithatë Balla, shtoi se janë ende në kohë për të diskutuar sërish, në mënyrë që të zgjedhin presidentin e ri dhe me konsensusin e opozitës.
Por pas këtyre përplasjeve, gjasat janë që edhe në raundin e dytë të mos kemi një kandidaturë zyrtarë për emrin e ri të kreut të shtetit. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.
g.kosovari