Një tjetër vepër penale për të cilën akuzohet Nuredin Dumani, por që i porositur nga Talo Çela është dhe vjedhja me armë në dëm të shtetasit Xhemal Liçi. Ngjarja në fjalë ndodhi më datë 19 nëntor të vitit 2012 në Elbasan, ndërkohë që Liçit, i cili ishte kambist, iu vodh një shumë prej 12 300 000 lekësh.
Pasi qëlluan me armë në drejtim të ‘objektivit’ të tyre, autorët e ngjarjes janë larguar me një mjet të bardhë i markës opel në drejtim të panjohur. Asokohe Liçi mbeti i plagosur, ndërsa u dërgua me urgjencë në spital ku iu mbijetoi plagëve të marra.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e SPAK, e cila ka edhe dëshminë e Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë.
“……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Me tha se nëse isha dakord që unë duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime. E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan hajde takohemi. Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të linjës Durrës– Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos. Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën. Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty duke pritur të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rruge një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hap derën e mjetit dhe futi një çantë në sedilen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks dhe një herë në këmbë. Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel.
Në kërkesën e paraqitur prokuroria arsyeton se: Deklarimet e dhëna nga i hetuari përputhen më së miri me provat e tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimit dhe janë të atilla që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Nuredin Dumani, Gentian Sharra, Dorian Shkoza dhe Ardian Çollaku kanë konsumuar elementët e veprave penale “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.