Në përvjetorin e një rebelimi në burgun e Spaçit, një burg famëkeq dhe kamp pune për të burgosurit politikë të komunizmit në Shqipëri, ish të burgosurit shpjegojnë pse organizuan revoltën dhe bëjnë thirrje që ai vend të kthehet në një muze kujtese.
Nga Fjori Sinoruka
Më 21 maj 1973, të burgosurit në Spaç organizuan një kryengritje kundër gardianëve të tyre, duke bërë thirrje për liri dhe fundin e komunizmit dhe duke ngritur flamurin shqiptar pa yllin e kuq komunist në të.
“Ishte ngjarja më e veçantë, që tronditi diktaturën në atë kohë. Na prenë bukën, ujin, u përplasëm me policinë”, kujton Bedri Çoku, një i burgosur 25-vjeçar në atë kohë.
Revolta filloi si një konflikt i vogël midis një të dënuari dhe një gardiani, por përfundoi me rebelimin e pothuajse të gjithë të burgosurve kundër regjimit, duke tronditur institucionet e sigurisë së Shqipërisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste.
Për dy ditë derisa revolta u shtyp me dhunë, të dënuarit protestuan dhe nuk pranuan të dorëzoheshin, dhe trupat dhe forcat e sigurisë duhej të dislokoheshin nga Tirana në malet që rrethonin burgun.
Pranë burgut ishin minierat ku të burgosurit politikë detyroheshin të nxirrnin xeherorë bakri, kromit dhe minerale të tjera në kushte të vështira.
“E dini se si ishte puna në minierën e Spaçit? Ishte një minierë si në vitet 1600-1700”, tha Çoku.
“Punonim në galeri me tre turne dhe nuk hanim kurrë një vakt të mirë… dhe ujin që pinim, ishte i përzier me pirit, me acid. Erdhi një moment që nuk duruam dot më”, kujton ai.
Pas shtypjes së revoltës, katër të burgosur u ekzekutuan dhe 66 të tjerëve u dhanë dënime më të gjata, përfshirë Çokun, i cili që atëherë ka shkruar një libër për përvojat e tij të titulluar “Kryengritja që tronditi diktaturën”.
“Unë u ridënova. Më duheshin edhe dy vite që të mbaroja dënimin, por u dënova me 25 vite të tjera që u kthyen në 23 sepse u ndryshua sistemi dhe u lirova në vitin 1991”, tha ai.
Ai kujton se gjatë hetimeve për revoltën, hetuesit më së shumti shqetësoheshin për flamurin jo komunist që mbanin të burgosurit.
Një tjetër i burgosur që mori pjesë në revoltë, Gëzim Çela, fillimisht ishte arrestuar në vitin 1957 dhe dënuar nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me 12 vjet burg, konfiskim pasurie dhe humbje të së drejtës së votës për pesë vjet për “tradhti ndaj atdheut”.
Ai u fal në 1964, por u arrestua përsëri në vitin 1971, u dënua me tetë vjet burg për “agjitacion dhe propagandë” dhe u dërgua për të bërë punë të detyruar në Spaç. Pas revoltës, Çela u dënua sërish me 14 vite burg. Më pas ai u lirua në vitin 1982.
I pyetur se si nisi revolta, ai kujton se kompania shtetërore e minierave Ndërrmarja me sa duket kishte hasur në probleme me përmbushjen e kuotave të prodhimit, “kështu që filluan të na fusnin në punë të dielave”.
“Imagjinoni në minierën Spaç – unë isha minator, në galeri kishte temperatura të larta dhe kishim një vagon prej tre tonësh që duhej ta shtynim. Ka pasur raste që dikush ka vdekur në minierë dhe është transportuar me vagon”, tha ai.
Ai kujtoi se si shpërtheu zemërimi mes të burgosurve pasi një i burgosur i quajtur Pal Zefi u fut në izolim për 30 ditë.
“Kur policia shkoi të ndërronte batanijen në qeli, ai u turr nga dera e qelisë dhe u largua”, tha Çela. “Dhe ata i japin urdhra policisë që ta kapnin, por ai kishte marrë një shufër hekuri dhe nuk lejonte t’i afrohej njeri. Të burgosurit e tjerë iu bashkuan.”
“E keqja duhet mbajtur mend”
Burgu dhe kampi i punës u hap në vitin 1967 dhe funksionoi deri në vitin 1990. Ai ndodhet në një zonë kaq të largët, saqë nuk kishte mur rrethues për të parandaluar arratisjen e të burgosurve.
Burgu është rrënuar, por për 19 vitet e fundit, Gjet Gjoni është kujdesur vullnetarisht për të.
Gjoni jeton tre kilometra larg tij dhe gjithashtu ka një kontejner metalik aty pranë, në të cilin ka mbledhur disa objekte që ka gjetur nga koha e komunizmit.
Ai thotë se një kompani turke e quajtur Tete Albania, e cila po përgatitet të nxjerrë mineral bakri në Spaç, ia ofroi kontejnerin sepse ai bën disa punë për firmën.Kompania gjithashtu nuk e ka problem nëse ai lë punën për të shoqëruar njerëzit që duan të vizitojnë vendin e burgut.
Ndërtesat e kampit të burgimit janë tashmë në një gjendje shumë të keqe, edhe pse ai është shpallur monument kulture nga autoritetet shqiptare në vitin 2007. Ish të burgosurit kanë kërkuar që ai të kthehet në një muze kujtese, por kjo nuk ka ndodhur ende.
Gjoni ka një bllok që e quan “Libri i përshtypjeve”, në të cilin u kërkon vizitorëve të shkruajnë diçka pas vizitës së tyre. Një shënim në libër i shkruar në vitin 2017 nga ministrja e atëhershme e kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, thotë se qeveria do t’i japë prioritet burgut si vendin më të rëndësishëm të kujtesës.
“Sot filluam hapin e parë konkret për të ndalur degradimin 25-vjeçar të vendit më të rëndësishëm të kujtesës. Ish-burgu i Spaçit do të jetë vendi më i frekuentuar i kujtesës. E keqja duhet mbajtur mend që të mos harrohet. Mirela Kumbaro, 5 qershor 2017”, thuhet në shënimin e ministres.
“Gjendje e avancuar përkeqësimi”
Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë e pavarur e dedikuar për mbrojtjen e monumenteve kulturore, tha në vitin 2017 se burgu i Spaçit është në “një gjendje jashtëzakonisht të avancuar përkeqësimi” dhe duhet të ruhet.
“Meqenëse asnjë sit tjetër nuk ekziston aktualisht si një vend kujtese për ish të burgosurit politikë në Shqipëri, ekziston një nevojë urgjente për të avancuar njohuritë, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të krijuar kërkesën për transformimin e këtij vendi në një qendër kujtese dhe edukimi”, tha Fondi Botëror i Monumenteve.
Historianët shqiptarë argumentojnë se qeveria duhet ta shpallë zyrtarisht burgun e Spaçit muze në mënyrë që ai të restaurohet.
“Pa statusin muze, nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje në ish-kampin. Sot ai është një vend që nuk të jep asnjë emocion tjetër veçse gjeografik, i mungon çdo tabelë që mund të kishte një kamp pune. I mungojnë gardhet e jashtme, udhëzimet për të shkuar në minierë e kështu me radhë”, tha për BIRN historiani Kastriot Dervishi.
“Ministria e Kulturës duhet t’i propozojë Këshillit të Ministrave shpalljen e Spaçit Muze Kombëtar”, shtoi ai.
Një tjetër historian, Pjerin Mirdita, tha se autoritetet duhet të zhvillojnë edhe zonën përreth për vizitorët në mënyrë që të japin një imazh më të plotë të asaj që ka ndodhur aty.
“Është absolutisht e rëndësishme që ne të kemi sa më shumë muze kujtesës që të jetë e mundur që të shërbejnë për t’u marrë me të kaluarën dhe për të trajtuar aspektet dhe mekanizmat e ndryshëm të përdorur nga qeveria komuniste kundër qytetarëve të saj”, tha Mirdita për BIRN.
“Por duhet të kemi parasysh se ish-kampi i punës së detyruar në Spaç ndodhet në një nga vendet më të izoluara në Shqipëri dhe thjesht ta kthesh në muze nuk mjafton. Duhet një studim i thellë sesi e gjithë zona duhet të kthehet në shërbim të këtij vendi të rëndësishëm kujtese, arsimor dhe historik të vendit tonë”, shtoi ai.
Në vizitën e saj në kamp në qershor 2017, ministrja e atëhershme e kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, foli për një konkurs ndërkombëtar që do të mbahej së shpejti për të identifikuar projektin më të mirë për të krijuar në Spaç një vend kujtese. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur ende.
Por pasi nuk mundën të siguronin para nga Ministria e Kulturës, Instituti Shqiptar i Monumenteve dhe autoritetet vendase iu drejtuan për ndihmë organizatave jofitimprurëse për të mbajtur gjallë idenë e një muzeu. Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHËB Albania, një OJQ, po drejtonte përpjekjet. Me një grant nga qeveria suedeze, ajo vendosi shtylla të reja mbështetëse në disa prej ndërtesave dhe restauroi çatitë e vjetra që kishin futur shiun brenda për vite me radhë.
Luigji Milla, drejtor i organizatës së muzeut të Spaçit, i cili bën fushatë për ruajtjen e vendit, i tha BIRN se burgu, së bashku me minierat, ishte një nga objektet kryesore që regjimi komunist përdorte për të ndëshkuar kundërshtarët e tij politikë.
“Ky burg ka edhe një atribut tjetër shumë të rëndësishëm. Këtu për herë të parë në një burg komunist në Shqipëri shpërtheu një revoltë që tronditi rëndë diktaturën e kohës”, tha Milla.
“Ngritja e flamurit pa yllin e kuq, simbol i komunizmit, si dhe pushkatimi i katër ish pjesëmarrësve në këtë revoltë dhe ridënimi i dhjetëra të tjerëve, e bënë këtë simbol të rezistencës antikomuniste”, shtoi ai.
Ai thotë se ndërtesa po shembet “dhe bashkë me të, në rrënojat e frikshme po varroset historia e dhimbshme e qindra shpirtrave të vrarë që treguan se liria ka një kosto”.
“Ky mosveprim i shtetit shqiptar, në mos i qëllimshëm, tregon mungesë vlerësimi dhe respekti për vuajtjet dhe qëndresën e qindra mijëra të burgosurve të këtij burgu famëkeq dhe shumë të tjerëve që janë të braktisur dhe të harruar në mbarë Shqipërinë”, tha ai.