Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbolli sot pemë me nxënës të shkollës “Emin Duraku”, ku u kujdes të jepte edhe disa detaje lidhur me përgatitjet për finalen e madhe të Conference League. Ai tha se Amfiteatri i Tiranës dhe pedonalja ‘Murat Toptani” do të kthehen në Fan Zone për tifozët e Romës dhe Feyenoord, në mënyrë që edhe ata që nuk kanë mund të sigurojnë një biletë, ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.
“Këtë javë presim nga 50 deri në 100 mijë tifozë, të cilët ndoshta do të vijnë edhe pa bileta, vetëm për atmosferën. Kemi përgatitur Amfiteatrin e Liqenit, ku do të vendosen tifozët e Romës, të cilët do ta ndjekin ndeshjen përmes ekraneve të mëdha, nëse nuk kanë bileta. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me tifozët e Feyenoord, që vijnë nga Roterdami, te pedonalja e Tiranës. E mërkura do të jetë një ditë pa makina, një ditë pushimi edhe për shkollat. Edhe kjo është një mënyrë për t’i thënë qytetit se duhet ta ulim pak përdorimin e makinës”, njoftoi Veliaj.
Ndërkaq, kryebashkiaku falenderoi nxënësit që iu bashkuan nismës për të mbjellë pemë.
“Të rriturit ndoshta japin mend, janë të politizuar, të ndarë nëpër kampe, kurse fëmijët, si te këndi lodrave, si te Sheshi, si te Ditët pa Makina, janë të parët sepse e përqafojnë pa hile të bukurën, gjënë e vlefshme. Fëmijëve sot kanë dhënë një shembull se kush punon e lë një gjurmë në qytet, kush merret me llogje dhe mallkon errësirën, nuk ka shanse të ndezë pak dritë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, jo vetëm në këtë vit që Tirana është ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’, por çdo vit tjetër, do të thotë se më të mirën e kemi përpara dhe e kemi vetë në dorë”, tha kreu i Bashkisë.
g.kosovari