Skerdi Tasi dyshohet të jetë autori i vrasjes së Emiljano Ramazanit, në korrik të vitit 2020 në Elbasan.
Nuredin Dumani dyshohet t’i ketë thënë grupit hetimor se ditën kur ndodhi ngjarja shoferi i Tasit që e ka ndihmuar më pas të largohet nga vendi i ngjarjes ka qenë Henrik Hoxha.
Autori i afrohet shënjestrës dhe e qëllon në mënyrë gjakftohtë në vetëm 30 sekonda, pranë palestrës që ky i fundit frekuentonte.
Ramazani ishte një emër i njohur për drejtësinë. Në vitin 2012 gjatë operacionit të koduar “Tabakane 2”, Ramazani i njohur edhe me nofkën “Rramani” dhe “Ili” u arrestua së bashku me 5 të tjerë pasi prokuroria kishte prerë fletë arresti për trafik të lëndëve narkotike.
Ai ndodhet pas hekurave për atentatin ndaj biznesmenit L.Masha. Ai ishte kontaktuar nga Nuredin Dumani me porosi të Suel Çelës pasi ky i fundit kishte vendosur gjobë ndaj biznesmenit.
Operacioni i SPAK “Golden Bullet” ka hedhur dritë mbi shumë ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe ajo e vrasjes së vëllait të të shumë kërkuarit Talo Çela, Bujar Çela.
Nga dëshmia e Nuredin Dumanit dhënë para prokurorëve të SPAK, dyshohet se vëllai i të shumë kërkuarit Talo Çela është ekzekutuar nga shtetasi Besjan Xhixha dhe një tjetër persona i shpallur në kërkim.
Por si ka ndodhur atentati në 17 shtator 2020? Vëllai i Talos Çelës, të shumëkërkuarit nga policia, ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri mëngjesin e 17 shtatorit 2020. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45 në fshatin Bradashesh të Elbasanit përpara një lokali.
Bujar Çela 62 vjeç punonte si taksist pa licencë. Çela u qëllua me armë sapo zbriti nga makina për t’u ulur në një lokal. Ai u ndoq nga atentatorët, për të cilët asokohe u tha se ishin të paktën 2 persona të maskuar./m.j