Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka folur ditën e sotme në një emision televiziv për zhvillimet e fundit në selinë blu. Shehu thotë se nuk e bëjnë letrat e gjykatës PD-në, por njerëzit.
Sipas tij gjykata është e komanduar, ndërsa shtoi se komunikata e sotme i kujtoi një komunikatë politike, e cila nuk ka asnjë pikë të përbashkët me drejtësinë.
“Skandal i vërtet! Është gjykatë e komanduar! Kjo është një ngjarje e turpshme. Nuk ka dëgjuar asnjëherë një gjykatë të dal në komunikata shtypi. Është vendim antiligjor, por edhe komunikata më kujton komunikata politike, që s’duhet të kenë asgjë të përbashkët me drejtësinë. Kjo tregon sesi po shkatërrohet drejtësia shqiptare. Gjykatësit nuk duhet të bëhen preh e kësaj loje politike.
Kemi dorën e gjatë të Ramës, që do të caktojë edhe kryetarin e PD dhe të gjitha. PD së përcakton dot Rama, nuk mund ta bëjë dhe ta zhbëjë me një manipulim gjykata. Nuk ndihem i shqetësuar sepse ne gjejmë mbështetjen e demokratëve. PD nuk janë copat e letrave që jep gjykata. Nuk influencohen politikat nga gjykata.”, tha ai.
Deputeti tha se gara për kreun e PD do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e hapur për të gjithë. Megjithatë ai nuk mund të linte pa përmendur se në këto zgjedhje mbështet Sali Berishën.
“Është garë normale, Mbas shkarkimit të Bashës, kjo është një garë e hapur, gjithë përfshirëse. Unë mendimin e kam dhënë mbështes Berishës. Mendoj që vetëm ai mund të çojë përpara PD, betejën e padiskutueshme me regjimin.”, u shpreh ai.
Nuk ka diskutim se një nga temat më të “nxehta” të momentin është ajo e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Shehu i ka cilësuar tentativat e mazhorancës për negociata një komedi të cilët po e luan Edi Rama dhe që nuk janë aspak reale, por iluzion.
“Nuk ka negociata, shoh vetëm veprime qesharake. Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend kështu! Rama përpiqet të bëjë negociata, por ky është vetëm një iluzion. Rama po luan komedi, le të mos kthehemi të gjithë në aktor të komedisë së Ramës.”, u shpreh deputeti./m.j