Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi këtë të hënë se Rusia nuk ka asnjë problem me Finlandën dhe Suedinë, por se zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në territorin e tyre do ta detyronte Moskën të reagojë.
Duke folur për zgjerimin e NATO-s në një samit të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të udhëhequr nga Rusia në kryeqytetin rus, ai tha se ky është një problem për Rusinë dhe është në interes të SHBA.
Ai gjithashtu tha se Rusia duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje, sipas tij, “planeve të NATO-s për të rritur ndikimin global”.
Më tej, Presidenti rus deklaroi se gjatë pushtimit të Ukrainës, Moska kishte siguruar “prova të dokumentuara të krijimit të përbërësve të armëve biologjike” pranë kufijve të Rusisë.
Ai shtoi se “po punohej mbi metodat dhe mekanizmat e mundshëm të destabilizimit të situatës epidemiologjike në hapësirën post-sovjetike”.
Putin shtoi se CSTO po planifikonte një “seri stërvitjesh të përbashkëta në Kazakistan, Kirgistan dhe Taxhikistan në vjeshtë”.
/a.r