Pas finales, Eurovision ka publikuar të dhënat e votimit dhe pikët që ka marrë secili shtet. Në të dhënat e publikuara shihet se Shqipëria në gjysëmfinalet e parë ka dalë e 12 me 58 pikë në total. Pavarësisht komenteve, performanca e saj duket nuk ka arritur të ‘bindë’ juritë.
Nga juritë e gjysmëfinalistëve të parë, Shqipëria ka arritur të marrë pikë vetëm nga Greqia, ndërkohë asnjë juri e asnjë shteti tjetër nuk i ka dhënë pikë Shqipërisë. Ndërsa nga publiku i gjysmëfinalistëve të parë, Zvicra i ka dhënë 8 pikë, Sllovenia 6, Bullgaria 1, Kroacia 2 pikë, Austria 2 pikë, Greqia 12 pikë, Armenia 2 pikë, Franca 5 pikë dhe Italia 8 pikë.
Ndonëse këngëtarja shqiptare nuk ka reaguar drejtpërdrejtë në lidhje me triumfin e Kalush Orchestra në festivalin europian ajo ka postuar një status në Twitter ku shkruan “WTF”(Çfarë dreqin). Komentet kanë qenë të shumta dhe të ndara në këndvështrime të ndryshne por Ronela nuk ka bërë asnjë reagim tjetër. Ajo mbështeti publikisht përfaqësuesen e Spanjës duke e cilësuar si fituese.
Ukraina fitoi Eurovision me këngën “Stefania” nga Kalush Orchestra. 40 shtete votuan duke nxjerrë në vend të parë Mbretërinë e Bashkuar me 283 pikë, e ndjekur nga Suedia me 258 pikë, Spanja me 231 pikë dhe Ukraina me 192 pikë. Megjithatë, votat e publikut ndryshuan gjithçka. 439 pikë për Ukrainën, bënë që ajo të renditet në vend të parë me një diferencë të dukshme pikësh.
/a.r