Të gjitha biletat për ndeshjet finale menaxhohen nga UEFA dhe u nënshtrohen termave dhe kushteve strikte që ndalojnë reklamimin, rishitjen ose transferimin e tyre të paautorizuar. Si e tillë, çdo biletë që ofrohet për shitje nga palë të treta në internet (duke përfshirë mediat sociale, tregjet dhe platformat dytësore të biletave) reklamohet në kundërshtim me termat dhe kushtet e biletave. UEFA zbaton në mënyrë aktive termat dhe kushtet e saj të biletave, duke përfshirë monitorimin e internetit, dhe do të ndërmarrë veprime (duke përfshirë anulimin e biletave) kur identifikohen reklamime të paautorizuara.
Tifozët duhet gjithashtu të jenë të vetëdijshëm se palët e treta që ofrojnë bileta për shitje në internet shpesh nuk i kanë në posedim biletat që ata pretendojnë se i kanë për t’i shitur, pavarësisht se kërkojnë çmime të tepruara për bileta të tilla.
Për më tepër, UEFA është e ndërgjegjshme se kërkesa për biletat e ndeshjeve finale mund të rezultojë në hyrjen e biletave të falsifikuara në tregun dytësor, siç ka ndodhur në finalet e mëparshme. Tifozëve u bëhet me dije që çdo biletë e tillë e falsifikuar nuk mund t’u garantojë hyrjen në stadiume.
Teksa UEFA e kupton se do të ketë tifozë që nuk kanë pasur sukses në aplikimin e tyre për të blerë bileta, njëkohësisht i këshillon fuqimisht këta tifozë të mos udhëtojnë në finale pa bileta ose të blejnë bileta në tregje dytësore. Për të garantuar sigurinë e tifozëve, mbajtësit e biletave duhet të jenë të vetëdijshëm se në finale do të kryhen kontrolle dhe autoritetet lokale në qytete do të marrin masa kundër rishitjes së paautorizuar të biletave.