Një ditë më parë, në 12 maj, Kuvendi i Shqipërisë refuzoi të fusë në procedurën parlamentare një dokument të propozuar nga ish- kryeministri Sali Berisha, i cili pretendonte se bëhej fjalë për një rezolutë që dënonte genocidin në Srebrenicë.
Pas vendimit të Kuvendit, Berisha vijoi të akuzonte mazhorancën dhe Edi Ramën se po refuzonin të dënonin genocidin në Srebrenicë duke u rreshtuar krah Dodik e Vuçiç.
Por qëndrimi i Berishës rezulton të jetë bllofi i madh i lojës së tij politike, sepse një ditë përpara se ai ta artikulonte akuzën e tij në Kuvend, duket se shteti shqiptar e ka dënuar qartë dhe fuqimisht genocidin serb të Srebrenicës në arenën ndërkombëtare.
Një ditë përpara teatrit të Berishës në Kuvend, në 11 maj, ambasadori dhe përfaqësuesi i Përhershëm i vendit tonë në OKB, Ferit Hoxha ka folur në Këshillin e Sigurimit në New York, ku në emër të vendit ka dënuar ashpër retorikën e Milorad Dodik, i cili e quan genocidin e Srebrenicës “mit të sajuar”.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebenicë, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike.
Nxitja e ndarjes midis grupeve etnike në Bosnje për lojëra politike është nënshkrimi i Dodik dhe mohimi i tij i përsëritur publik i gjenocidit, është thelbësor në përpjekjet e tij.
Duke iu referuar gjenocidit si “një mit i sajuar” apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv, është një fyerje për më shumë se 8 mijë civilë që u masakruan në Sreberenicë.
Dorëzimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është thjesht një provokim. Çdo gabim në BiH rrezikon të prekë rajonin më të gjerë. Kjo nuk duhet pranuar”, ka deklaruar Hoxha.
Pra përpara se Sali Berisha të ngrinte një stuhi në gotë, për gjoja rreshtim të qeverisë shqiptare krah interesave të Dodik dhe mosnjohje të genocidit në Srebrenicë, përfaqësuesi ynë më i lartë në OKB e ka bërë të qartë qëndrimin e Shqipërisë, duke dënuar genocidin dhe të gjithë ata që nuk e njohin atë.
Deklarata e ambasadorit Hoxha në 11 maj, konfirmon se dokumenti i sjellë në Kuvend nga Berisha dhe deklaratat e njëpasnjëshme të tij në emër të viktimave të Srebrenicës, janë asgjë më shumë se sa një teatër i shëmtuar dhe hipokrit, ose sic do të thoshte Edi Rama, një lojë e ulët politike e “non grata-s”./m.j
Linku i videos së mbledhjes dhe lajmit në faqen zyrtare të OKB: https://media.un.org/en/asset/k1w/k1w3ck79pd?fbclid=IwAR3iMj4EQjYjgl0yCn1_3cFVcyMj-EHeaJGmgPFuDCLIKBWS3X1m93uOkys