Osimo, Itali – Për dy vite mendohet se është pasuruar konsiderueshëm dhe kjo jo duke ngritur një mur ‘gurë-gurë’, por duke shitur kokainë ‘gramë-gramë’. Historia në fjalë ka ndodhur në Itali dhe protagonist është një shqiptar 27-vjeçar.
Identiteti i tij nuk është bërë i ditur nga mediat italiane, megjithatë mësohet se shqiptari ka qenë nën hetim nga autoritetet lokale.
Ata kanë mundur që të provojnë aktivitetin e tij të paligjshëm që prej Marsit të 2019-s deri në Korrik të vitit të kaluar. Të paktën në 860 raste është parë i riu të shpërndante drogë në provincat e Ancona-s dhe Macerata-s.
Shitja kryhej në vende publike ose në rrugë në çdo orë të ditës. Për 1 gram që shiste, shqiptari përfitonte 70 deri në 100 Euro.
Sipas hetimeve mendohet se pak nga pak, shqiptari ka shitur deri në 2 kilogramë kokainë dhe ka përfituar 120 mijë Euro.
Hetimi ndaj shqiptarit nisi për shkak të një vëzhgimi të autoriteteve ndaj një rrjeti shpërndarësish në disa qytete të ndryshme. Lidhur me këtë hetim u kapën edhe 2 persona të tjerë.
/a.r