Rreth 20 punonjës të Incineratorit të Fierit ditën e sotme janë ngritur në protestë pasi kanë 4 muaj që nuk kanë marrë rrogat.
Punëtorët kanë bllokuar hyrjen e Incineratorit dhe nuk lejojnë kalimin e automjeteve të rënda të mbushura me mbetje urbane.
“Kemi që në muajin janar deri tani nuk kemi martë rrogat, për vitin 2022 dhe nuk na japin asnjë lloj përgjigje, do i merrni sot, do i merrni nesër dhe ne kemi ngelur si peshku pa ujë. Nuk kemi administrator, po vijmë po bëjmë punën tonë rutinë, pa administrator. Kjo është protesta e dytë dhe nuk na jep njeri shpjegim. Ne u detyruam të bllokojmë hyrjen që të dëgjohemi se ka rënë në vesh të shurdhër”, thotë një punëtor.
I kërkojnë kryeministrit Rama që t’i japë përgjigje pasi sipas tyre ai është zoti i punës.
“Ne jemi 5 muaj që nuk marrim pagat, nuk është e nevojshme të na vijnë këtu. Edi Rama i ka bërë të gjitha online, të na japë paratë se zoti i kësaj pune është ai. Shikojeni tabelën aty kemi 6 vite që e ruajmë, kemi lënë kockat. Të na japë paratë. Lekët tona po kërkojmë.”
“Kemi fëmijët nëpër shkolla, shikoni tabelën është e qartë se kush është zoti.shteti, i merr nga një xhep i çon në xhepin tjetër. Të na kthejnë paratë, jo të na i kthejnë por të na japin gjakun dhe djersën tonë. “
Ata kërcënojnë se pa marrë lekët nuk do të largohen nga hyrja e landfillit dhe nuk do lejojnë kalimin e mjeteve me mbetje urbane.
“Ne nuk e hapim më portën pa marrë lekët. Të vijë Edi Ram vetë këtu ta hapë portën. Nga shteti presim përgjigje. Nuk e dimë ku jemi. Jemi shumë keq, kalamajtë nuk po i çojmë dot në kopsht se nuk po e paguajmë dot. Bukë nuk kemi se është rritur dhe buka” thotë punëtori.
Ndërkohë drejtuesit e automjeteve me mbetje urbane janë në siklet pasi makinat janë të bllokuara. Sipas tyre kjo kërcënon pastrimin e qyteteve Lushnje, Fier dhe Patos dhe rrit shpenzimet e karburantit.
Raportohet se drejt landfillit po shkojnë automjetet të tjera të mbushura me mbeturina të Ballshit dhe Roskovecit.
Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e këtij incineratori protestojnë për pagat.
Më 30 prill, rreth 30 punonjës protestuan për të njëjtën kauzë.
Inceneratori është sekuestruar nga SPAK dhe është vendosur një administrator nga shteti.
Prej disa muaj SPAK ka nisur hetimet për kompanitë që fituan koncesionet e inceneratorëve në vend.
Të arrestuar dhe në hetim për impiantin e mbetjeve në Fier janë ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i ministrisë, Alqi Bllako dhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi. Ish zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit.
Referuar hetimit, ata i kanë paraqitur dokumente të falsifikuara qeverisë për shpronësimin e truallit ku u ndërtua inceneratori duke shkaktuar një dëm afro 16 milionë lekësh.