Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u betua të shtunën për rizgjedhjen si president në një ceremoni në Pallatin Elysee. Ai u zotua gjithashtu se fillimisht do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë përpara se të vazhdojë të fokusohet në promovimin e Francës dhe Europës në skenën botërore, sipas CNN.
Macron u rizgjodh për pesë vite të tjera në krye të shtetit francez më 24 prill në një balotazh në të cilin e mundi rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Në fjalën e tij Macron premtoi se “së pari do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim pas agresionit rus në Ukrainë”.
Në ceremoninë e inaugurimit, Macron pati një fjalim më të shkurtër se zakonisht dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi duke u përshëndetur me të pranishmit individualisht.
Në ceremoni ishin të pranishëm rreth 500 të ftuar. Ata vinin kryesisht nga bota e politikës, megjithëse përfshinin edhe aktorë, punonjës të kujdesit shëndetësor, oficerë ushtarakë dhe ish-presidentët Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy. Mandati i dytë i Macron do të fillojë zyrtarisht më 14 maj. TEMA