Preç Zogaj ka rrëfyer në një shkrim për gazetën Panorama, natën e vrasjeve të 21 janarit, pas ritransmetimit të emisionit Opinion të asaj nate.
Ai thotë se në atë emision ka pasur shume tension, pasi ka pasur të vrarë.
Megjithatë, sipas Zogajt, në thelb, të gjithë personazhet që kanë qenë atë mbrëmje në emision, iu përmbahen edhe sot atyre që kanë thënë.
“Debati i 21 janarit është zhvilluar në të nxehtë, në inercinë e tensioneve të një konfrontimi me gjakderdhje, ku numri i të vrarëve e të plagosurve nga radhët e civilëve dhe numri i të lënduarve nga radhë e policisë dhe Gardës nuk ishte saktësuar ende, ndërsa pamjet e vrasjes së të ndjerëve “Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, nuk ishin transmetuar ende.
E megjithatë, duke riparë këtë debat, mua nuk më rezultoi që ndonjëri prej panelistëve të kishte shqiptuar opinione dukshëm inkoherente me qendrimet që ka mbajtur më vonë, siç pohonte dje në një shkrim gazetari Andi Bushati”, shkruan Zogaj.
Ai shprehet se nëse do të ribëhej ai debat, do të dënonte sërish përdorimin e armëve dhe do të dënonte vrasjen e demonstruesve.
“Por nga ana tjetër, përveçse me heshtje, do t’i kisha miratuar edhe më fjalë pohimet e Majlinda Bregut dhe Artur Zhejit për retorikën e dhunës që parapriu demonstratën e 21 janarit, për deklaratën luftënxitëse të Edi Ramës, se populli mund ta kalojë opozitën, për paralelizmat e kërkuara me Pranverën Arabe… dhe sidomos për vendimin absurd për ta lënë protestën pa drejtim, për të cilën është debatuar shumë në Opozitën e Bashkuar të asaj kohe”, shkruan Zogaj.
“Do të kërkoja ndjesë ndërkaq për një qendrim evaziv ndaj akteve të dhunës jospontane të një grupi të manipuluar demonstruesish kundër forcave të rendit, akte të cilat më vonë i kam mësuar duke i parë në TV; do të korrigjoja po ashtu, do pa u skuqur, një deklaratë për vrasje me snajper, duke qenë i ndikuar nga shpjegimet e një mjeku në Spitalin Ushtarak për plagët e një prej dy të vrarëve”, vijon më tej Zogaj.
Në fund, Zogaj e mbyll duke shkruar:
“Demokracia jonë duhet ta përjashtojë përgjithnjë organizimin nga opozita të protestave dhe demonstrative, pa dalë vetë në krye, gjë që e ka bërë dhe po e bën opozita e sotme. Sikurse duhet të përjashtojë përgjithnjë përdorimin e armëve të zjarrit dhe vrasjet në protestat popullore. E gjithë kjo me çmimin e katër jetëve. Për të cilët do të themi se nuk shkuan kot”./Tema/