Nga Adriatik Doçi
Në vitin 2013, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Beratit kanë mbyllur dosjen për pasuritë e Gazmend Mahmutajt, i skeduar si një bos prostitucioni në Itali, i dënuar dy herë në vitin 1993 dhe vitin 1997. Bëhet fjalë pikërisht për të njëjtat pasuri që u konfiskuan nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, në 22 shkurt 2022, si produkt i aktivitetit kriminal të Gazmend Mahumtajt, i njohur si miku i Fatmir Mediut.
Gazmend Mahumtaj është vëllai i deputetit të PD, Kasem Mahmutajt. Nga 25 pasuri të konfiskuara, 13 ishin në emrin e deputetit të PD, bashkëshortes së tij Liri Mahmutaj dhe vajzës së tyre, ku përfshiheshin disa apartamente, hoteli me 4 yje në Berat dhe një shtypshkronjë.
Fakti që prokuroria kishte hapur hetim dhe mbyllur çështjen për pasuritë Gazmend Mahumtajt në 2013, ka dalë në pah gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, në vitet 2020-2021, ku avokatët e Mahmutajt kanë pretenduar se kjo çështje ishte një gjë e gjykuar, pasi dy prokurori kishin marrë vendim për pasuritë në fjalë.
Dhe pretendimi rezultoi i vërtetë, ndonëse çështja nuk ishte një gjë e gjykuar një herë, pasi nuk kishte pasur vendim gjykate, por vetëm vendim prokurori për mbyllje të çështjes. Para reformës në drejtësi, prokurori nuk kërkonte konfirmimin e gjykatës për pushimin e një procedimi penal. Kështu, Gjykata Speciale e hodhi poshtë këtë pretendim dhe vijoi procedimin deri në vendimin e konfiskimit të 25 pasurive.
Po si u pushuan dy hetimet për pasurinë e mikut të Fatmir Mediut në 2013?
Në vitin 2013, Policia e Beratit ka informuar Prokurorinë Berat se kishte dyshime se vëllezërit Gazmend, Behar e Kasem Mahmutaj kanë blerë pasuri të paluajtshme me paratë që Gazmendi ka fituar nga aktivitetet e paligjshme. Prokuroria e Beratit ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penale. Në 15 korrik 2013, Prokuroria e Beratit ka pushtuar hetimet me argumentin se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale!
Ndërkaq, veprime hetimore ka kryer edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë për pasuritë e vëllezërve Mahmutaj, në kuadër të zbatimit të ligjit anti-mafia. Në përfundim është vendosur pushtimi i hetimeve me arsyetimin e se vepra penale e shfrytëzimit të prostitucionit, nuk përfshihej në fushën e zbatimit të ligjit anti-mafia.
Pra, në të dy rastet, është gjetur një shteg, për të pushtuar hetimet. Në vitin 2013, Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohej nga Eugen Beci, i shkarkuar me vendime të formës së prerë nga Vetingut për pasurinë dhe figurën, ndërsa u zbuluar se edhe Ambasada Amerikane i kishte anuluar vizën.
Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Adriatik Llalla, i cili kishte pushtet dhe impakt tek prokuroritë, pasi mund të lëvizje drejtuesit. Adriatik Llalla u emëruar në vitin 2012 nga Sali Berisha dhe Ilir Meta si i besuar i tyre.
Adriatik Llalla u shpall ‘non grata’ në vitin 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit si i përfshirë në korrupsion. Në shtator të vitit 2021, Llalla u dënua me 2 vite burg për fshehje pasurie, me vendim të formës së prerë. Llalla u arratis për t’i shpëtuar burgut.
Po si arriti të SPAK të konfiskojë pas 9 vitesh pasuritë e vëllezërve Mahmutaj?
Në janar të vitit 2020, qeveria ‘Rama’ miratoi një akt normativ anti-krim, me efekt veprimi të përkohshëm, meqenëse prokuroria pothuajse kishte hequr dorë nga zbatimi i ligjit anti-mafia, për të goditur pasuritë e krimit dhe korrupsionit.
OFL-ja, struktura e ngarkuar për zbatimin e akti special anti-krim, u nisi një kërkesë vëllezërve Mahmutaj që të justifikonin 28 pasuri, për shkak se Gazmend Mahumtaj ishte subjekt i OFL-së, pasi ishte dënuar në Itali dy herë për shfrytëzim prostitucioni.
Në kushtet e mungesës së dokumentacionit justifikues të pasurisë, policia e referoi çështjen në SPAK në 31 gusht të vitit 2020. SPAK ka regjistruar aktet e dërguara nga policia në 1 shtator 2020. Në 15 shtator 2020, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme sekuestrimin e 28 pasurive, të cilat nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK në 23 shtator 2020. Pas një viti procesi gjyqësor, përballjesh, provash, kundërshtish etj., në 22 shkurt 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi konfiskimi e 25 pasurive të vëllezërve Mahmutaj nga 28 që kishte kërkuar SPAK-u./shqiptarja.com