Konsultimet e mazhorancës për kandidaturat për President, ish-Kryeministri Sali Berisha i konsideron si skenare të turpshme që nuk kanë ndodhur ndonjëherë në historinë politike të vendit.
Në një konferencë shtypi me gazetarët, Berisha tha se do të jetë Këshilli Kombëtar i PD që do të mblidhet sot për të vendosur qëndrimin që do mbajë Partia Demokratike për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Ndërsa Enkelejd Alibeajn e konsideron si ministër të Ramës.
“I tëri është një skenar i turpshëm dinjitoz vetëm për kreun e organizatës kriminale të qeverisë shqiptare. Askush tjetër ndonjëherë nuk ka ndërmarrë një proces të tillë në historinë e vendit. Ky është procesi më i diskretituar që mund të bëhet ndonjëherë. Këshilli kombëtar është organi më i rëndësishme i PD pas kuvendit. Ai mblidhet sot për të përcaktuar qëndrimin e PD ndaj këtij procesi dhe për të marrë vendimin politik. Parimet janë të qarta. Edi Rama do të haset me opozitën e vërtetë. Kjo është ajo çka unë mund të them. Është e kotë të përgjigjem për emrin që shqiptove ti veçse ai sillet si ministër i Edi Ramës”, tha Berisha.