Pas shtypjes së lëvizjes opozitare të Rusisë, Kremlini tani po kërkon të eliminojë ata qe janë kundër luftës përpara paradës së Ditës së Fitores të javës së ardhshme në Sheshin e Kuq.
Sipas The Times mijëra kritikë të Kremlinit janë larguar nga Rusia që kur Presidenti Putin urdhëroi trupat në Ukrainë më 24 shkurt. Por tani një producent shtetëror ka paralajmëruar se kundërshtarët e luftës që mbeten në vend mund të përballen me masa gjithnjë e më të ashpra, duke përfshirë “kampet e përqendrimit” dhe “sterilizimin”.
“Ata që kundërshtojnë shkronjën “Z” duhet të kuptojnë se nuk do t’u tregohet mëshirë,” tha Karen Shakhnazarov, një regjisor i shquar pro-Putin, duke iu referuar simbolit pro luftës. “E gjithë kjo është serioze. Në këtë rast, bëhet fjalë për kampe përqendrimi dhe riedukim. Sterilizimi!”
Shakhnazarov, i cili drejton studion e filmit “Mosfilm” të mbështetur nga shteti, po fliste në një emision bisedash për çështjet aktuale të transmetuar nga kanali televiziv Rossiya 1. Shakhnazarov, 69 vjeç, më vonë tha se komentet e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit, por nuk shpjegoi se si. Putin, gjithashtu 69 vjeç, kohët e fundit i përshkroi figurat e opozitës si llum dhe tradhtarë dhe parashikoi se shoqëria ruse do të pastrohet prej tyre.
Numri i rusëve që mbështesin atë që Kremlini i referohet si “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë ka rënë paksa që nga muaji i kaluar nga 81 përqind në 74 përqind, sipas një sondazhi nga Qendra e pavarur Levada. Një në pesë njerëz tha se ishte kundër luftës. Megjithatë, kritikët argumentojnë se kërkimi i besueshëm është i pamundur sepse njerëzit janë shumë të frikësuar për t’u thënë anketuesve se çfarë mendojnë në të vërtetë.
Media shtetërore pohoi në fillim të luftës se luftimet do të përfundonin shpejt dhe se ushtarët rusë do të priten me lule nga ukrainasit mirënjohës. Prezantuesit e televizionit kombëtar dhe zyrtarët e Kremlinit tani po u thonë rusëve, megjithatë, se konflikti do të zgjasë më shumë se sa pritej, sepse vendi i tyre është i përfshirë në një konflikt me NATO-n./m.j