Kryeministri i Italisë, Mario Draghi në një fjalim drejtuar Parlamentit Europian të mbledhur në seancë plenare në Strasbourg, ka bërë me dije se duhen hapur menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fjalën e tij, Draghi tha se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një kërcënim për projektin europian.
“Duhet përshpejtuar së pari procesi i zgjerimit. Integrimi i plotë i vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk përfaqëson një kërcënim për projektin europian, por është pjesë e realizimit të tij. Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në përputhje me vendimin e Këshillit Europian të marsit 2020.
Duam t’i japim një shtysë të re negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi dhe t’i përkushtojmë vëmendjen maksimale pritshmërisë legjitime të Bosnjën Hercegovinës dhe Kosovës. Jemi në favor të anëtarësimit të të gjitha këtyre vendeve dhe duam Ukrainën në Bashkimin Europian. Ne duhet të ndjekim rrugën që kemi përcaktuar për zgjerimin, por njëkohësisht duhet të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur“, ka thënë ai.
Më herët, kryeministri Edi Rama është shprehur se i sheh pa optimizëm negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e në këtë kuadër ai tha se nëse negociatat nuk hapen në qershor, qeveria e Shqipërisë do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se kjo ishte edhe një kërkesë e vetë qytetarëve në Formularin e Këshillimit.
Kjo deklaratë vjen pasi ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska bëri me dije se përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë është një kusht që duhet përmbushur përpara se vendi të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE. Ky qëndrim i diplomates bullgare tregon se ky vend as nuk tërhiqet në veton e vendosur për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, veto e cila pengon edhe Shqipërinë. Edhe pse ka ende kohë deri qershorin e ardhshëm ku pritet të mbahet Këshilli Europian.
Qershorin e kaluar ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i problemeve të Maqedonisë së Veriut.
Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes./m.j