Një kërcënim i mundshëm për bombë e ka detyruar një avion të kompanisë ”Scandinavian Airlines” (SAS), që lidh Londrën me Stokholmin, për të devijuar udhëtimin dhe për të kryer një ndalesë të detyruar në Goteborg, ku 72 pasagjerët që ndodheshin në bord u evakuan më pas, njoftoi policia suedeze.
“Rreth 72 pasagjerë që ndodheshin në bordin e avionit, ku përfshihej edhe ekuipazhi u evakuan. Ky proces tashmë ka përfunduar”, deklaroi për median zëdhënësi i policisë, Stefan Gustafsson.
Avioni u orientua drejt një zone të largët nga aeroporti ”Landvetter” drejt Goteborgut, në pjesën perëndimore të Suedisë, ku janë thirrur një grup ekspertësh për të inspektuar avionin.
“Ekspertët kanë mbërritur në zonë dhe po përgatiten për të hetuar çdo pjesë të avionit”, shtoi zëdhënësi.